Vazhdojnë bombardimet izraelite në Gazë, mbi 10 të vrarë, dhjetëra të plagosur
Të paktën 10 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën...

Të paktën 10 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin izraelit ndaj shkollës "Jaffa" në verilindje të qytetit të Gazës, ku po strehoheshin të zhvendosurit. Ekipet e shpëtimit nxorën nga rrënojat trupat e atyre, që u vranë në sulm dhe shumë të plagosurve dhe se përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në rajon.
“Pas sulmit erdhën ambulancat dhe i çuan dëshmorët dhe të plagosurit në spital.”, - tha dëshmitari në Gazë, Isa Speer.
“Ishim në gjumë para agimit dhe papritmas dëgjuam goditjen. Raketa goditi vendin tonë. Të gjitha dritaret ranë, pluhuri u përhap kudo. U ngritëm dhe dolëm. Shkuam të fqinjët tanë, e gjithë ndërtesa e tyre ishte shembur plotësisht. Ndërtesa ishte plot me gra dhe fëmijë, të moshuar dhe të paaftë. Të gjithë u vranë!”, - tha dëshmitari tjetër, Mohamed Speer.
Presidenti palestinez, Mahmud Abas, për të gjitha sulmet izraelite në Gazë, e fajëson grupin e rezistencës Hamas, si faktorin kryesor që nxit sulmet dhe kërkon lirimin e pengjeve.
"Hamasi i ka dhënë pushtuesit kriminal arsye për të kryer krimet e tij në Rripin e Gazës, ku më i spikaturi është mbajtja e pengjeve. Pse i kanë marrë peng? Unë jam ai që paguaj çmimin, populli ynë po e paguan çmimin, jo Izraeli. A e keni parë sa është rritur numri i palestinezëve të vdekur.", - theksoi presidenti i Palestinës, Mahmud Abas.
Bllokada e ushqimit në Gazë, OKB: Njerëzit po vdesin nga uria
Përveç bombardimeve, Izraeli ka bllokuar edhe furnizimet thelbësore. Banorët e Gazës vdesin nga uria, për shkak të bllokadës ushqimore, alarmojnë nga OKB-ja.
"Fëmijët tanë kanë shkuar vazhdimisht në shtrat pa ushqim, pa darkë. Asgjë nuk ka mbetur, gjendja jonë është jashtëzakonisht e rëndë. Unë blija miell me kilogramë, vetëm për të sjellë pak në shtëpi dhe për t'i dhënë secilit prej fëmijëve të mi një copë bukë për të përballuar. Tani, është edhe më keq, nuk ka miell. Ky është me të vërtetë një krim. Fëmijët tanë vdesin edhe nga uria, pasi kalimi i ndihmave është i bllokuar.", - u shpreh i zhvendosuri, Ahmed al-Kafarna.
"Ndërkohë, në terren në Gazë situata vazhdon të përkeqësohet. Kolegët tanë humanitarë raportojnë se armiqësitë në të gjithë Rripin e Gazës po vazhdojnë, me një numër shkatërrues për civilët dhe infrastrukturën kritike. Pavarësisht nga armiqësitë e vazhdueshme dhe përkundër faktit se ndihma nuk ka ardhur për më shumë se 50 ditë, ne dhe partnerët tanë po bëjmë ç'është e mundur për të mbështetur njerëzit në të gjithë Rripin.”, - theksoi zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Stefan Dujarriq.
Përplasje për bllokadën ka pasur edhe në kabinetin e sigurisë së Izraelit.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se Tel Avivi duhet të rifillojë dërgesat e ndihmave në Gazë brenda dy javësh, ndërsa shefi i ushtrisë, Ejal Zamir, ka qenë i ashpër ndaj kësaj kërkese, duke u shprehur se ushtria nuk do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e ndihmave në enklavën palestineze.
Kundër këtij vendimi është shprehur edhe ministri i Financave nga krahu i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotric.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës, duke bllokuar furnizimet thelbësore nga hyrja në enklavë, pavarësisht raporteve të shumta për urinë në territorin e shkatërruar nga lufta. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
