Rruga Tetovë – Prizren, themelohet grupi i përbashkët punues

23.04.2025 17:09

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri....

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se është themeluar grupi i përbashkët punues mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për projektin strategjik të ndërtimit të rrugës Tetovë–Prizren.

Pjesë e këtij grupi punues do të jetë edhe vet zëvendësministrja, Zekolli, e cila në një postim në rrjetet sociale thotë se do të angazhohet që t’i shtyjë përpara të gjitha procedurat e nevojshme, me qëllim që ky projekt të fillojë sa më shpejt dhe të ecë me ritëm të pandalshëm.

“Emrat e anëtarëve të grupit janë tashmë të përzgjedhur nga të dyja palët dhe puna do të nisë me përkushtimin më të lartë profesional. Në vijim pritet koordinim i ngushtë dhe hapa të shpejtë drejt fazës së projektimit dhe më pas zbatimit në terren. Dëshmi e seriozitetit të punës sonë është edhe dokumenti formal i nënshkruar, ku janë emëruar anëtarët e grupit punues. Buxheti për fazën e projektimit të tunelit, tashmë është i ndarë në buxhetin vjetor të shtetit tonë, gjë që garanton stabilitetin financiar dhe vullnetin për ta çuar këtë projekt deri në fund.”, thekson zëvendësministrja, Zekolli Shaqiri.