Maqedoni

Gjykata Themelore në Shkup, Jakimovski u dënua me 3 vite e gjysmë burg, Jakimovski: Vendimi gjyqësor u soll nën presion

23.04.2025 17:32

Gjykata Themelore në Shkup i ka shqiptuar tre vite gjysmë burg...

Gjykata Themelore në Shkup i ka shqiptuar tre vite gjysmë burg kryetarit të komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.
 
Jakimovski është shpallur fajtor për veprën penale “Ndërtim pa leje” për ndërtimin e një objekti administrativ të pushtetit lokal, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.
 
Jakimovski po ashtu u shpall fajtor edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare në procesin e legalizimit të objekteve të tjera të ndërtuara pa leje dhe në shitjen e tokës shtetërore me çmime më të ulëta se ato të tregut. Dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të komunës së Karposhit kapin shumën prej rreth 238 mijë euro, ndërsa dëmet në buxhetin shtetëror rreth gjysmë milioni euro.
 
Jakimovski ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Ka reaguar Jakimovski, i cili ka deklaruar se nuk ndjehet fajtor, pasi siç thotë ai është dënuar për ndërtimin e dy objekteve të përkohshme për shërbimet komunale. Po ashtu sipas Jakimovskit, Prokuroria ka përdorur dëshmi të falsifikuara.
 
Për objekte të përkohshme nuk mund të ketë ndjekje penale, tha Jakimovski, sipas të cilit vendimi gjyqësor është sjellë nën presion.