Grupet parlamentare në Kuvend, Gashi: Nuk ka ndryshim të shpërndarjes
Kryetari i Kuvendit akoma nuk ka pranuar kurrfarë shkrese zyrtare...

Kryetari i Kuvendit akoma nuk ka pranuar kurrfarë shkrese zyrtare nga asnjë subjekt politik. Për sa i përket ndarjes së grupeve parlamentare, sipas numrit një të Kuvendit, Afrim Gashi, gjendja është e njëjtë sikurse ka qenë në fillim të mandatit, ndërsa edhe koordinimi me shefat e grupeve parlamentare është korrekt, edhe pse jo çdoherë kanë pajtueshmëri për të gjitha çështjet, tha mes tjerash numri një i Kuvendit gjatë një brifingu me gazetarët.
“Sa i përket çështjes së ndarjes së grupeve të deputetëve, për momentin gjithçka është duke u zhvilluar siç ka filluar në fillim të mandatit dhe nuk ka asnjë ndryshim tek grupi i deputetëve dhe kjo është gjendja aktuale. Ndërsa, nëse ka ndonjë ndryshim, duhet të jem i informuar në mënyrë zyrtare me shkresë se ka ndonjë ndryshim. Për sa i përket punës së koordinimit, i njëjti me koordinatorët vazhdon të jetë i rregullt, cilësor. Natyrisht nuk kemi gjithmonë pajtim për të gjitha temat, por me rëndësi është se kemi një qasje shumë të sinqertë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gashi po ashtu nuk deshi t’i komentojë situatat hipotetike, se si do të ndikonte ndryshimi i strukturës tek grupet parlamentare.
Ai informoi edhe për vizitat e shumta, të cilat i ka realizuar me përfaqësuesit e huaj diplomatik, dhe më të gjithë këto janë diskutuar tema, të cilat çojnë në drejtim të zgjidhjes së ngërçit politik, për sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
“Kemi zhvilluar vizita historike për herë të parë në Londër, Berlin, Paris, Stokholm, Bruksel, në qendrat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Mesazhet të cilat na vinë nga këto qendra shumë të rëndësishme vendimmarrëse janë mbështetje e parezervë për RMV-në për të vazhduar procesin integrues të vendit. Natyrisht se të gjithë e dimë se e kemi një pengesë para vetes e ato janë ndryshimet kushtetuese. Pas ngjarjeve në Ukrainë dhe pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA ka një gatishmëri edhe më të madhe, që RMV-ja ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendit në BE.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gashi po ashtu foli edhe për shpalljen e zgjedhjeve lokale, që sipas tij, afati kohor është që e njëjta duhet të bëhet nga fundi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, si dhe për realizimin e seancës, ku duhet të diskutohet për interpelancën e ngritur ndaj ministrit Toshkovski. (Fitim Kryeziu, TVM2)
