Mbështetja e komunave, Perinski: 17 komuna nuk kanë aplikuar
17 komuna në mesin e të cilave Çairi, Struga, Dibra, Likova, Qendra...

17 komuna në mesin e të cilave Çairi, Struga, Dibra, Likova, Qendra, Bogovina, Vrapçishtja, Tearca nuk kanë aplikuar në thirrjen e dytë publike për mbështetje të projekteve infrastrukturore komunale.
Siç informoi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski, në një konferencë për shtyp në Qeveri, 36 komuna kanë aplikuar me projekte në vlerën maksimale të mjeteve financiare që u takojnë sipas formulës për kokë banori, ndërsa 27 komuna kanë mundësi të aplikojnë edhe me projekte të tjera deri në shumën maksimale të parashikuar.
Nga gjithsej 450 aplikimet e pranuara deri tani në thirrjen e dytë publike, sqaroi ai, më shumë se 330 janë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
“Në thirrjen e dytë publike janë paraparë dhe vënë në dispozicion deri në 15 miliardë denarë për projekte kapitale dhe infrastrukturore. Nga thirrja e parë u tregua se interesimi më i madh është për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, pasi nga 288 projekte, 225 janë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe po realizohen përmes Ministrisë së Transporteve. Sipas informacioneve që kemi në thirrjen e dytë publike, fokusi i pushtetit vendor është më së shumti në përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Ka edhe projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në fushën e mjedisit jetësor, ndërtimin e shkollave, çerdheve dhe sallave sportive.”, - deklaroi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Ndërkohë, sa i përket afateve për realizimin e projekteve nga thirrja e parë publike, sipas tij, i caktojnë vetë vetëqeverisjet lokale. Deri më tani janë realizuar vetëm 30 projekte, të cilat kanë fituar mbështetje gjatë thirrjes së parë publike.
“Nga thirrja e parë publike, 251 projekte kanë kontratë të nënshkruar, 140 janë tashmë të nisura në punë, 30 janë përfunduar plotësisht, 33 janë në procedurë të tenderimit dhe vetëm për katër nuk ka filluar ende asnjë procedurë.”, - theksoi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Perinski sqaroi se për disa nga këto katër projekte kishte nisur procedura, por ishte anuluar për shkak të faktorëve të caktuar dhe tani duhet të rifillojë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
