Kumanovë, Taravari prezantoi autoambulancën e re
Spitali i përgjithshëm i Kumanovës...

Spitali i përgjithshëm i Kumanovës sot pranoi një donacion të vlefshëm prej 1 milion denarësh. Bëhet fjalë për një autoambulancë, e cila do të shërbehet për nevojat e rreth 200 mijë banorëve të rajonit të Kumanovës.
Ky donacion erdhi nga kompania kumanovare “Ballkan Grup DB”, e që e pranoi vet ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, së bashku me drejtorin e spitalit, Sasho Stoshevski.
“Kënaqësi e veçantë që sot në Spitalin e Kumanovës, që është një nga spitalet më të rëndësishme në RMV, që jep shërbime shëndetësore për mbi 200 mijë banorë që jetojnë në këtë rajon, sot së bashku me drejtorin e spitalit, prej kompanisë me përgjegjësi shoqërore “Ballkan Grup”, e cila donon një veturë për ambulancë, e cila do të shfrytëzohet prej pacientëve që marrin shërbime shëndetësore këtu. Për ndryshe Spitali i Kumanovës i ka 4 vetura e kjo është vetura e 5-të. Prej 1 janarit 2025 janë transportuar përafërsisht rreth 300 pacientë deri tek klinikat e Shkupit, gjithashtu këto vetura ndonjëherë shërbejnë edhe për t’i transportuar pacientët nga spitali për në shtëpitë e tyre.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Marrë parasysh faktin se jam i lindur në këtë spital, gjithashtu dua të potencoj se edhe nëna ime punon për 37 vite me radhë këtu në spital. Këto dy gjëra më shtynë që të bëj këtë donacion, po ashtu dua që t’u bëj thirrje të gjithë biznesmenëve, që kanë mundësi të donojnë e të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.”, - theksoi pronari i kompanisë “Ballkan Grup DB”, David Ivanovski.
“Në planin e punës për vitin 2025 kemi paraparë në buxhet që të blejmë edhe një automjet, por nëse na vjen në ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, atëherë ato mjete të parapara për automjetin do t’i destinojmë për blerje të tjera që kemi mungesë.”, - u shpreh drejtori i Spitalit të Kumanovës, Sasho Stoshevski.
Mes tjerash, drejtori i Spitalit të Kumanovës, Sasho Stoshevski, përmes mediave u bëri apel të gjithë biznesmenëve që të ndjekin veprimin e pronarit të “Ballkan Grup DB” dhe të donojnë mjete pune për spitalin tonë. (Fatlum Aqifi, TVM2)
