Sorensen për vizitë pune në Prishtinë, takime me Bislimin dhe Barduanin
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi...

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar në Prishtinë, ku është pritur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Pas takimit, Sorensen nuk dha shumë detaje për takimin dhe qëllimin e vizitës, por vetëm theksoi se ka ardhur në Prishtinë në një vizitë normale pune, ndërsa bëri të ditur se do të vizitojë edhe Beogradin.
"Sot jam në Prishtinë si pjesë e zbatimit të mandatit. Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jemi këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani.", - deklaroi emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sorensen ka takuar edhe komandantin e KFOR-it gjeneralmajor Enriko Barduani, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në mbarë rajonin.
“Komandanti i KFOR-it nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm. Gjenerali Barduani theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Kjo është vizita e dytë e Sorensenit në Kosovë dhe Serbi, që kur mori mandatin e ndërmjetësuesit në shkurt të këtij viti. (Gyltene Sinani, TVM2)
