44 të lënduar nga zjarri në Koçan po trajtohen jashtë vendit, Taravari: Gjendja e tyre është stabile, njëri do të kthehet nesër

24.04.2025 15:26

44 persona të lënduar nga zjarri në Koçan...

44 persona të lënduar nga zjarri në Koçan po marrin trajtim mjekësor jashtë vendit. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, gjendja e tyre është stabile dhe njëri prej tyre pritet të kthehet nesër në Maqedoni.

“Tani kemi 43 raste më të rënda. Shpresoj që do të mund t’u ofrojmë rehabilitimin më të mirë të mundshëm, i cili do të zgjasë një apo dy muaj. Për rreth 40 pacientë, rehabilitimi pritet të zgjasë nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Kjo është bazuar në një analizë të bërë nga ekspertë britanikë, të cilët kanë përvojë të madhe me lëndime të kësaj natyre.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Ministri shtoi se po shqyrtohet mundësia që pacientët me lëndime më të rënda të vazhdojnë trajtimin jashtë vendit, me synimin që, pas kthimit, të kenë një jetë sa më cilësore.

Nastov: 99% e pacientëve të kthyer janë lëshuar për trajtim shtëpiak

Ndërkohë, drejtori i Klinikës Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”, Nebojsha Nastov, njoftoi se 99% e pacientëve të kthyer janë lëshuar për trajtim shtëpiak dhe po ndiqen me kontrolle të rregullta.

“Shumica ose 99 për qind e pacientëve të kthyer janë lëshuar në shtëpi me kontrolle të planifikuara. Vetëm një paciente që është kthyer nga Serbia ndodhet ende në spital dhe do të vazhdojë qëndrimin. Të gjithë kanë pësuar djegie të përmasave të ndryshme, por nuk mund të jap përqindje të sakta, pasi çdo rast është individual. Shumica kanë pasur të ashtuquajturat lëndime nga thithja e tymit. Pasi u trajtuan jashtë vendit dhe situata u stabilizua, u kryen kontrolle dhe më pas u lëshuan për trajtim në shtëpi.”, - theksoi drejtori në Klinikën “Shën Naumi i Ohrit”, Nebojsha Nastov.

Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” janë të shtruar katër pacientë nga zjarri në Koçan. Prej tyre, vetëm njëri ndodhet ende në spital, ndërsa tre të tjerët janë liruar për fundjavë.

Sipas drejtorit Nastov, gjendja e tyre është përmirësuar ndjeshëm dhe pritet që të dalin përfundimisht nga spitali në fillim të javës së ardhshme. (Armend Murseli, TVM2)