Maqedoni
Përfaqësimi i drejtë në institucione, Fronti Evropian kërkon llogari nga kryeministri, Mickoski: Ligji do të jetë kushtetues
24.04.2025 16:00
Çështja e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve...

Çështja e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione rikthehet në Kuvend. Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, kërkoi llogari nga kryeministri Mickoski se kur ligji do të dorëzohet në Kuvend. Bexheti madje kërkoi nga Mickoski t’u kërkojë falje shqiptarëve, për siç tha arrogancën e tij për ndasitë etnike.
“Në disa raste dalin zëvendëskryeministra nga kjo qeveri dhe thonë që kemi grupe punuese, kur asnjëherë nuk treguan se kush punon në atë grup punues. Është një qasje që tallen me opinionin me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. As maqedonasve nuk ua mban premtimin, i ke dy të tretat, prishi marrëveshjet, të shohim ku e çon shtetin. Por, për shqiptarët dëshiron t’i prishë.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Kryeministri Mickoski fajësoi Frontin se kanë propozuar heqjen e balancuesit, ndërkaq siguroi se ligji nuk do të jetë diskriminues. Ai u distancua nga pretendimet për sjellje arrogante.
“Ju keni sjell vendim me të cilën thoni se nuk ka nevojë për balancues, jo unë. Ligji është që vitin e shkuar dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Unë më shumë mendoj për shqiptarët se sa unë, pasi që kohën nuk e kaloj duke luajtur futboll dhe basketboll në zyra, por realizoj projekte. Do t’u kërkoj falje shqiptarëve, përse më herët nuk keni shkuar në opozitë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Pyetje deputetësh, në fokus tragjedia në Koçan dhe standardi
Socialdemokratët fajësuan pushtetin për moszbardhje të tragjedisë në Koçan, duke kërkuar edhe llogari për Koceskin. Kryeministri, në mbrojtje të kryeprokurorit.
“Pas tragjedisë në Koçan, kryeministri deklaroi se i jep shans të dytë kryeprokurorit. Kjo lë dyshime serioze për motivet e tragjedisë dhe mënyrës se si po ndriçohet rasti.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçuleski.
“Nuk ju duhet kryeprokuror i ri, ju keni kryeprokuror, vetë e keni zgjedhur si shumicë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Socialdemokratët drejtuan pyetje për vonesën e pagave në institucionet e kulturës. Zëvendësministri i Financave siguroi se po punojnë që të mos ketë ngecje në pagesën e pagave, ndërkaq ministri i Kulturës, Lutkov, tha se në këtë periudhë është rregulluar marrëveshja kolektive me përllogaritje të reja.
“Nuk iu ik problemeve. Isha këtu dhe po zgjidhnim rrogat. Përfundimisht zgjidhëm problemin dhe bëmë përllogaritjen e re, e cila është dinjitoze dhe ligjore.”, - u shpreh ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.
Nuk munguan as akuzat ndaj “Së Majtës” për pasurime të jashtëligjshme në qendër të Shkupit, që sipas kryeministrit, veprimi i majtistëve ka prapavijë ndasie në mesin e maqedonasve.
MERAL ISMAILI
