Maqedoni

Shkup, shënohet Dita Kombëtare e Holokaustit

24.04.2025 16:34

Në përkujtim të 6 milionë hebrenjve të vrarë, Fondi i Holokaustit të hebrenjve...

Në përkujtim të 6 milionë hebrenjve të vrarë, Fondi i Holokaustit të hebrenjve në Maqedoni shënoi “Jom Hashoan” – Ditën Kombëtare të Holokaustit. Gjithashtu përkujtoi edhe kryengritjen hebraike në geton e Varshavës në vitin 1943.
 
Kryetari i komunitetit hebre, Pepo Levi, ndezi gjashtë qirinjtë me premtimin se viktimat dhe të mbijetuarit nuk do të harrohen kurrë dhe se Qendra Memoriale do të luftojë kundër çdolloj diskriminimi.
 
“24 Prilli, sipas kalendarit hebraik, është dita përkujtimore e heroizmit të Holokaustit. Shteti i Izraelit dhe të gjithë hebrenjtë nëpër botë përkujtojnë me nderime vdekjen e 6 milionë hebrenjve, që u vranë nga regjimi nazist i Gjermanisë Hitleriane dhe satelitëve të tyre fashistë. Prej 11 mars të vitit 2011 kur u hap qendra jonë memoriale, ky vend përfaqëson luftën kundër çdo lloj diskriminimi, qoftë ai racor, fetar apo çfarëdo lloj dallimi tjetër.”, - deklaroi kryetari i komunitetit hebre në RMV, Pepo Levi.
 
Ndërkohë, ambasadori i Polonisë në RMV, Mariush Brimora, solli në vëmendje traditën që zhvillohet çdo 19 prill në Varshavë, në përkujtim të Kryengritjes së Getos, një akt i guximshëm i hebrenjve në vitin 1943 për të kundërshtuar deportimin drejt kampeve të vdekjes.
 
“Çdo vit, mijëra lule dafinash shfaqen në rrugët e Varshavës. Ka dafina të vërteta që banorët dhe vizitorët e kryeqytetit polak vendosin pranë memorialeve dhe dafina letre të vogla që çelin në xhaketat e kalimtarëve. Cili është kuptimi i këtyre luleve të verdha, mund të pyesni, dhe si na ndihmojnë të kujtojmë? Mark Edelman, udhëheqësi i fundit i kryengritjes në Geton e Varshavës, i cili mbijetoi nga lufta dhe jetoi në Poloni deri në vdekjen e tij në vitin 2009, merrte çdo vit një buqetë me lule të verdha, kryesisht dafina, nga një person anonim. Ai më pas i vendoste ato pranë Monumentit të Heronjve të Getos në kujtim të atyre që luftuan.”, - theksoi ambasadori i Republikës së Polonisë në RMV, Mariush Brimora. 
 
Tradicionalisht, çdo vit në këtë ditë hapet një ekspozitë e artit figurativ të nxënësve, pjesëmarrës në konkursin për çmime “Holokausti përmes prizmit të syve të fëmijëve”, i shpallur nga Fondi i Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë dhe Qendra Memoriale e Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia.
 
Përmes këtij përkujtimi, komuniteti ndërkombëtar riafirmon rëndësinë e kujtesës historike dhe përkushtimin për paqe, liri dhe barazi në mbarë botën.
 
ABIBE QAILI