Botë

Bombardime ruse mbi Ukrainë, 9 të vdekur dhe mbi 80 të plagosur

24.04.2025 16:57

Sulme ruse me dronë dhe raketa mbi Ukrainë. Nëntë persona u vranë në kryeqytet...

Sulme ruse me dronë dhe raketa mbi Ukrainë. Nëntë persona u vranë në kryeqytet dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, në mesin e tyre disa fëmijë. Mes viktimave ishte një grua shtatzënë.
 
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të pastrojnë rrënojat e ndërtesave të dëmtuara në lagjen Sviatoshinskji të Kievit. Supozohet se ka ende njerëz nën rrënoja.
 
"Jemi në lagjen Sviatoshyno, ku janë shkatërruar 12 shtëpi. Tani po pastrojmë me dorë rrënojat, sepse ne nuk mund të përdorim pajisjet. Ekziston mundësia që nën rrënoja të ketë më shumë njerëz. Për momentin kemi të dhëna për disa persona të vdekur.”, - deklaroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitçko. 
 
"15 pacientë u dërguan në spital. Dy pacientë tani janë në gjendje të rëndë, por stabile. Pjesa tjetër janë në gjendje mesatare. Të gjithë pacientëve iu dha ndihma e plotë. Dy pacientë tashmë janë liruar për trajtim ambulator.", - theksoi shefi i departamentit të Politraumës, Jevhen Batsenko.
 
Ushtria ruse ka goditur 24 herë edhe qytetin e Kharkivit. 
 
“Ishte një natë shumë e turbullt në Kharkiv. Pati goditje në një fabrikë prodhimi. Gjithashtu, ka pasur goditje në afërsi të ndërtesave të banimit. Shërbimet tona komunale janë duke punuar tani, ata kanë kontrolluar të gjitha komunikimet.”, - u shpreh kryebashkiaku u Kharkivit, Ihor Terekhov.
 
"E vetmja gjë që shpëtoi ishte sepse unë isha ulur në korridor në momentin e shpërthimit. Isha me fat, sapo u ngrita nga shtrati, aty ranë xhamat dhe copëzat tjera që mund të më kishin vrarë.”, - tha një banore e Kharkivit, Nina Mykhailovska. 
 
Zelenski këmbëngul të vazhdojë luftën dhe nuk pranon të bëjë negociata, thonë autoritetet ruse. Ata gjithashtu akuzojnë BE-në se e furnizon me armatim Kievin.
 
“Të frikësuar nga perspektiva e dukshme e fitores së Rusisë, për të shmangur një skenar të tillë, ata inkurajojnë regjimin e Zelenskit të vazhdojë veprimet ushtarake, pavarësisht nga viktimat. Çdo ditë, në çdo orë, në çdo sekondë, paaftësia e Zelenskit për të negociuar, pas sabotimit të moratoriumit 30-ditor të goditjeve në objektet e infrastrukturës energjetike po bëhet gjithnjë e më e dukshme.”, - deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. 
 
Ndërkohë, në skenën diplomatike po diskutohet një plan paqeje i administratës Tramp, që parashikon dorëzimin e Krimesë dhe 5 rajoneve lindore Rusisë, në këmbim të ndaljes së luftës. Trampi tha se ka arritur një “marrëveshje me Rusinë” dhe tani kërkon miratimin e Zelenskit.
 
"Mendoj se kemi një marrëveshje me Rusinë. Ne duhet të arrijmë tani një marrëveshje me Zelenskin. Mendova se mund të ishte më e lehtë të merresh vesh me Zelenskin, por deri tani ka qenë më e vështirë. Kjo është në rregull, gjithsesi mendoj se kemi një marrëveshje me të dyja.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Ai akuzoi presidentin ukrainas për qëndrim jorealist dhe e paralajmëroi për pasoja shkatërruese, nëse nuk pranon kompromisin. Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka ndërprerë vizitën e tij në Afrikën e Jugut dhe është kthyer menjëherë në Ukrainë, për shkak të situatës së rëndë në vend. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU