Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dështon sërish votimi i kryetares së Kuvendit
Në tentativën e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

Në tentativën e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, përmes deputetit, Glauk Konjufca. Megjithatë, edhe kjo përpjekje për zgjedhje dështoi.
Haxhiu mori sërish vetëm 57 vota “pro” të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë post të rëndësishëm institucional.
Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë qëndruar në vendimin e tyre për të mos e mbështetur këtë kandidaturë. Pas dështimit të gjashtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, seanca konstituive u ndërpre sërish.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se punimet do të vazhdojnë të dielën, më 27 prill, në ora 10:00.
Kujtojmë se në këtë seancë u hodh sërish në votim kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e nevojshme – njëjtë si në tentativat e mëparshme.
Opozita e deritashme, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nuk e përkrahu kandidaturën, duke thelluar më tej bllokadën institucionale.
Tani, sytë janë drejtuar nga dita e diel, ku mbetet të shihet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi politik.
