Trampi në funeralin e Papa Françeskut, pritet takim me Ursula von der Lejen

25.04.2025 13:44

Kryeqyteti italian është vendosur nën masa të jashtëzakonshme sigurie...

Kryeqyteti italian është vendosur nën masa të jashtëzakonshme sigurie për funeralin shtetëror, që do të mbahet nesër në mëngjes në Sheshin e Shën Pjetrit.
 
Ndërsa qindra liderë botërorë pritet të marrin pjesë, autoritetet italiane kanë vendosur një perimetër sigurie të paprecedentë që përfshin mbrojtje nga ajri, deti dhe toka. 
 
Në qendër të vëmendjes është ardhja e presidentit amerikan, Donald Tramp, i cili do të mbërrijë në Romë në orët e vona të mbrëmjes. 
 
Edhe pse vizita e tij do të jetë e shkurtër, me nisjen e planifikuar menjëherë pas përfundimit të funeralit, burime diplomatike nuk përjashtojnë mundësinë e takimeve dypalëshe në orët para ceremonisë. 
 
Një nga takimet më të përfolura është ai i mundshëm me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. 
 
Takimi i mundshëm vjen në një moment kritik për marrëdhëniet transatlantike, me Brukselin që kërkon të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të masave proteksioniste dhe Uashingtonin që insiston për rinegocimin e marrëveshjeve tregtare. 
 
Ndërkohë, pritet që pjesëmarrja e liderëve në funeralin e nivelit më të lartë të shërbejë si një moment reflektimi, por edhe si një mundësi për dialog diplomatik në sfondin e një Evrope në transformim dhe një bote gjithnjë e më të polarizuar.