Sulm me thikë në një shkollë në Francë, një i vrarë e tre të plagosur

25.04.2025 14:10

Një djalë 15-vjeçar vrau një nxënës dhe plagosi tre të tjerë...

Një djalë 15-vjeçar vrau një nxënës dhe plagosi tre të tjerë në një sulm me thikë në shkollën “Notre-Dame-de-Toutes-Aides”, një shkollë private katolike në qytetin perëndimor francez të Nantes.

Viktima ishte vajzë, ndërsa tre të plagosurit ishin djem. Nxënësit u mbajtën brenda shkollës pas sulmit të mesditës, por u lejuan të largoheshin në orët e pasdites nën mbrojtjen e policisë. Dhjetëra prindër pritën jashtë shkollës.

Stafi mësimor neutralizoi sulmuesin para se të mbërrinin forcat e rendit në vendngjarje, tha një zëdhënëse e policisë.

Ajo u shpreh se nuk kishte të dhëna për motiv terrorist. Por, nxënësit që e njihnin nga afër, e përshkruajnë si person me ide radikale, madje edhe ekstremiste.

"Ai na tha lamtumirë dhe na uroi një jetë të mirë, por do të më shihni përsëri shumë shpejt, tha, por në TV. Ishte një javë më parë. Në grupin që kishim në Snapchat, na dërgonte shumë video duke shpjeguar ekstremistët ose politikanët, nazistët.", - tha një mik i të dyshuarit.

"Nuk e lexuam të gjithë, sepse ishim në klasë. Duket se akti i tij ishte i paramenduar. Ai ishte gati të bënte atë që bëri.", - tha një student.

"Vetëm duke folur me të e kupton, ai ishte një person mjaft i çuditshëm. Nuk mendoja se ishte normal. Ai ndante ide të tilla si, nuk e di nëse mund ta them, por ai ndante ide naziste.", - u shpreh një student tjetër.

Pak minuta para se të hynte në shkollë, i dyshuari adoleshent kishte paralajmëruar nxënësit, duke u dërguar e-maile të gjithë miqve të tij.  Raste të tilla tronditëse ka ndodhur shpesh, ku fëmijë ose adoleshentë kanë kryer sulme ekstremiste.

Në maj të vitit 2023, në Beograd një 13-vjeçar vrau 8 nxënës dhe rojën e shkollës ku mësonte. Djali kishte përgatitur një listë të personave që do vriste dhe planifikoi gjithçka për ditë me radhë. Ky rast tronditi opinionin publik në rajon. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)