Kuvendi i Kosovës, dështon sërish zgjedhja e kryeparlamentarit

25.04.2025 14:40

Edhe përpjekja e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

Edhe përpjekja e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht përpjekja e katërt për zgjedhjen e kryeparlamentarit dështuan. Kandidatja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, sërish nuk i mori votat e nevojshme. 

“Sërish kemi rezultatin “për” 57 vota, “kundër” janë 47 dhe 3 abstenime. Në bazë të kësaj kandidatja nuk votohet.”, - theksoi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.

Nga Vetëvendosje sërish bënë fajtorë partitë opozitare për bllokimin e konstituimit të Kuvendit që do t’i hapte rrugë edhe zgjedhjes së qeverisë së re.

Deputetja, Mimoza Kusari Lila, tha se kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht, prandaj nuk e përjashtoi mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja. 

“Në raport me afatet, më lejoni të vë në vëmendjen e të gjithëve se gjithashtu është paraparë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30-ditësh është ditën e diel më 27 prill. Prandaj, kjo situatë nuk mund të shkojë në pafundësi, mund të sjell në një rrethanë tjetër, ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve.”, - deklaroi Mimoza Kusari Lila nga Vetëvendosje.

Por, nga opozita fajin e hedhin te Lëvizja Vetëvendosje, e cila siç thonë ata, po e mban shtetin peng, pasi nuk ka shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës për tekat e një partie, e të një njeriu, e të një kandidateje. Sikur të dëshironin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, kanë pasur mundësi edhe pardje, edhe para katër ditësh, të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër që ta ndërrojnë kandidatin, sepse nuk imponohet kandidati kur nuk e ke shumicën parlamentare.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Përveç PDK-së, edhe deputetët e LDK-së, AAK-së dhe Listës serbe votuan kundër, ndërsa deputetët e NISMËS-së ishin të përmbajtur. Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për 27 prill. (Gyltene Sinani, TVM2)