Eurointegrimi i vendit, Mucunski: Procesi mos të kalojë nëpër bilateralizim

25.04.2025 15:09

Në drejtim të vazhdimit të procesit eurointegrues...

Në drejtim të vazhdimit të procesit eurointegrues, shteti ynë zhvillon dialog me ekipin e Komisionit Evropian dhe punon në iniciativa të orientuara drejt zhbllokimit të rrugës evropiane, thotë ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, duke potencuar sërish se bilateralizimit të procesit integrues duhet t’i vihet një fund.

Ai po ashtu njofton komunikimin me palën bullgare për shumë tema, ku njëherit potencon se për çështjet identitare dhe nacionale s’ka më negociata. Eurointegrimi i rajonit, sipas Mucunskit, ka rëndësi të veçantë, sepse siguron stabilitet afatgjatë.

“Siguri afatgjate dhe të ardhme të rajonit të Ballkanit  Perëndimor  nuk mund të ketë pa siguruar pjesën e integrimit evropian. Kjo është  përgjegjësi e jona e ndarë. Ne ta bëjmë pjesën tonë, ndërsa Bashkimi Evropian ta zvogëlojë hendekun mes pritjeve të krijuara dhe asaj që realizohet, gjë që ekziston për të gjithë ne në rajon viteve të fundit. Duhet përfundimisht t’i japim fund këtij procesi të bilateralizimit dhe padrejtësive. Çka nëse nesër ndodhin ndryshimet kushtetuese dhe për gjashtë muaj sërish ndodhemi në të njëjtën situatë?”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Kryediplomati malazez, Ibrahimoviq: Me ne të dëshmohet se zgjerimi është real

Homologu i tij nga Mali i Zi, Ervin Ibrahimoviq, rekomandon vazhdimin me procesin e reformave dhe në këtë mënyrë të mposhtet euroskepticizmi. Ai është i bindur se Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut i pret e ardhme e përbashkët evropiane.

Çdo ditë e humbur drejt BE-së i kushton edhe vendeve aspirante edhe Brukselit, ndërkaq tregimi i BE-së nuk mund të jetë i suksesshëm pa e përfshirë brenda edhe Ballkanin, nënvizoi shefi i diplomacisë malazeze, Ibrahimoviq.

“Besoj se si shtet që ka kaluar në proces të negociatave mund të bëjmë hap vendimmarrës dhe të shërbejmë si argument se zgjerimi i BE-së është real, ndërsa bashkëngjitja e Ballkanit Perëndimor është e arritshme. Çdo sukses i ndonjë shteti nga rajoni drejt rrugës evropiane është lajm i mirë për të tjerët. Pajtohemi se perspektiva evropiane është garanci më e fuqishme në prosperitetin dhe stabilitetin e mëtutjeshëm.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq.

Në këtë takim, ministri i Jashtëm, Mucunski, pati përgjigje edhe për 313 amendamentet e dorëzuara për draft-raportin e raportuesit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Pritshmëritë e tij janë që të pranohen ato amendamente, që lidhen me realitetin politik dhe atë të drejtësisë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)