Energjetikë, me propozim-ligjin e ri, MEPSO-ja nuk guxon të shitet

25.04.2025 15:36

Propozim-ligji i ri për energjetikë...

Propozim-ligji i ri për energjetikë do të mundësojë që MEPSO-ja në pronësi shtetërore do t’i përkasë Ministrisë së Energjisë dhe në projektligj ka dispozita të veçanta, që nuk do të lejojnë shitjen e operatorit te ndonjë person privat i interesuar.

Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, ndër të tjera, deklaroi se me këtë ligj, operatori i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike do të jetë i obliguar që, në vend të matësve ekzistues, të instalojë matës të mençur për konsumatorët, të cilët do të mund të lexohen në distancë.

Ligji do të mundësojë edhe rregullimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e tepricave të energjisë elektrike, gjë që deri më tani nuk ka qenë e mundur, për shkak të mungesës së rregulloreve për këtë çështje. Prodhimi në periudhat e pikut nga numri i madh i centraleve fotovoltaike që janë ndërtuar dhe po ndërtohen, gjatë një pjese të ditës do të mund të ruhet në bateri.

“Me këtë ligj është paraparë rinovimi i detyrueshëm i rrjetit të MEPSO-s në vitet e ardhshme, sepse aktualisht është i vjetëruar, dhe gjithashtu do të dihet se cilët nga investitorët potencialë në burime të ripërtëritshme të energjisë do të mund të kërkojnë lidhje në rrjet. Kjo do të bëhet në mënyrë të planifikuar, vit pas viti, e jo siç ndodh tani. Ka kërkesa preliminare për lidhje në rrjet për investime me kapacitet të përgjithshëm prej 10.000 megavatësh, por një pjesë e madhe e atyre investitorëve ende nuk kanë blerë as tokë dhe po ua zënë radhën atyre që janë serioz në qëllimet e tyre.”, - deklaroi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.

Ministrja shtoi se do të rregullohet edhe se cilët nga kategoritë e ndjeshme të qytetarëve do të mund të marrin subvencione shtetërore për pagesën e faturave të energjisë elektrike.

Komisioni për Çështje Evropiane në Kuvend, në mes të këtij muaji, e shqyrtoi dhe e miratoi njëzëri propozim-ligjin për energjetikë në lexim të parë. (Ersan Pajaziti, TVM2)