Maqedoni
LSM kërkon paga më të larta për sektorin privat
25.04.2025 15:53
Sektori privat është shtylla kryesore e ekonomisë në vend...

Sektori privat është shtylla kryesore e ekonomisë në vend, por punëtorët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta dhe kushte të vështira pune.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritje urgjente të pagës minimale në 500 euro, me aplikimin e koeficientit të kompleksitetit, për të siguruar që të gjitha pagat në këtë sektor të rriten në mënyrë proporcionale.
“Nga kjo organizatë theksojnë se, në veçanti në veprimtaritë me punë intensive, paga mujore nuk duhet të jetë më e ulët se 50 deri në 60 mijë denarë. Në të kundërtën, mungesa e kuadrit të kualifikuar do të thellohet edhe më tej. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi 12 mijë punëtorë janë ankuar për mosrespektim të të drejtave, si vonesa në paga, mosshlyerje të regresit vjetor apo mospagesë të shtesave për përvojë pune. Për të gjithë këta është ofruar ndihmë juridike falas.”, - deklaroi nënkryetari i LSM-së, Ivan Peshevski.
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Sindikata njofton se më 1 Maj do të organizojë protestë nga Shtëpia e Punëtorëve në Shkup, duke ftuar të gjithë punëtorët që kërkojnë kushte më të mira dhe paga dinjitoze t’u bashkohen kërkesave të tyre.
ABIBE QAILI
