Maqedoni

Zhvillimet në Qeveri: Opozita, e gatshme për parlamentare

25.04.2025 16:27

Opozita, zhvillimet brenda Qeverisë i cilëson si jostabile...

Opozita, zhvillimet brenda Qeverisë i cilëson si jostabile, duke e bërë ekzekutivin të mos funksionojë mirë. Ky ngërç, sipas tyre, imponon zgjedhjet e parakohshme parlamentare. BDI thotë se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme dhe jo opsion për dalje nga situata aktuale politike.
 
“Zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri, jo opsion. Janë rruga e vetme për t’i dhënë fund këtij ngërçi të stërzgjatur politik, që po e degradon çështjen shqiptare në vend! LEN-i nuk mund të vazhdojë të heshtë përballë kësaj katrahure; nëse nuk e bën për përgjegjësi politike, le ta bëjë për vetëshpëtim: është e vetmja mënyrë për ta ndalur poshtërimin e mëtejmë të shqiptarëve!”, ka shkruar sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti. 
 
Edhe socialdemokratët, të gatshëm për zgjedhje të dyfishta, bashkë me lokalet të garojnë edhe për parlamentaret. Kryesocialdemokrati, Filipçe, thotë se po ndjekin zhvillimet dhe varësisht epilogut do të përfshihen madje për të bashkëpunuar me cilëndo parti edhe për zgjedhjet lokale.
 
“Ne jemi të gatshëm për çfarëdo që të ndodhë periudhën që vjen. A do të ketë vetëm zgjedhje lokale, a do të ketë bashkë me lokalet edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, LSDM është e gatshme që te jetë gati për çfarëdo lloj të zgjedhjeve periudhën që vjen.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, së fundmi është shprehur se varësisht vendimit të kryeministrit janë të gatshëm të lëshojnë Qeverinë.
 
Takimi sy më sy Mickoski – Taravari pritet të zhvillohet pas 1 majit. 
Kryeministri, përpos Taravarit, veçmas do të takojë edhe partnerët tjerë të koalicionit qeverisës, ku pritet të shihen raportet, si dhe jetëgjatësia e Qeverisë.
 
MERAL ISMAILI