Maqedoni
Onkologjia: Terapia biologjike ka mbërritur
25.04.2025 16:44
Pas një muaji, në Klinikën Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë...

Pas një muaji, në Klinikën Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë ka mbërritur terapia biologjike, e cila ishte e mangët për disa nga pacientët që trajtoheshin në këtë institucion publik shëndetësor.
“Pacientët do të njoftohen me kohë se kur të vijnë për aplikimin e terapisë apo të marrin terapinë me pilula.”, thonë nga klinika.
Pacientët kërkojnë që disa barna të përfshihen në listën pozitive
Pacientët kërkojnë që një pjesë e barnave të përfshihen në listën pozitive.
“Në momentin kur terapia të përfshihet në listën pozitive, kjo nuk do të thotë se do të jetë e disponueshme në sasi të pakufizuara. Kjo do të nënkuptojë procedura tenderuese më të shkurtra, afate më të shpejta për furnizim dhe gjithçka që lidhet me procesin e blerjes së barnave.”, - theksoi shoqata “Hema-Onko”, Ana Marjanoviq.
Klinika e Onkologjisë gjatë periudhës së fundit shpesh mbetej pa barna. Ish-drejtori i Fondit për Shëndetësi, Nikola Panovski, mendon se nëse Qendra Klinike do të funksiononte me një drejtor të vetëm, furnizimet do të ishin më të lehta dhe më të lira.
“Në disa raste, ilaçi është i pranishëm, pacienti po vdes, dhe ne tani presim të përfundojë tenderi apo dikush që ka bërë ankesë. Kjo nuk guxon të lejohet. Ata njerëz duhet të jenë më të guximshëm kur është e qartë se nuk bëhet fjalë për krim, por për shpëtim jete duhet të mundësohet kjo. Ja si ide po them: ashtu siç ka te barnat nëpër farmaci, të ketë një komision pranë MALMED-it apo Fondit për Shëndetësi, që do t’i caktonte çmimet e barnave, të ashtuquajturat çmime referuese, njësoj si në farmaci.”, - deklaroi mikrobiologu, Nikolla Panovski.
Nga Reparti i Onkologjisë njoftojnë se gjatë javës së ardhshme do të mbërrijnë edhe barnat që kanë munguar. Pacientët do të informohen për datën kur duhet të shkojnë për të marrë ose tërhequr terapinë në formë tabletash. Po ashtu, do të blihen shtatë barna të reja për trajtimin e kancerit.
ARMEND MURSELI
