Maqedoni

Rasti "Aditiv", masa kujdesi për kryetaren e KShPK-së, Bajrami për TVM2: Kjo që po ndodh është e turpshme

25.04.2025 17:01

Gjykata Penale ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike...

Gjykata Penale ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion dhe ka caktuar masë kujdesi ndaj kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, lidhur me rastin “Aditiv”, ku ajo dyshohet për shpalosjen e sekreteve zyrtare.
 
Dimitrovskës përkohësisht i është marrë dokumenti i udhëtimit, ndërsa i është shqiptuar edhe ndalesë për marrjen e aktiviteteve të caktuara të punës, që kanë lidhje me veprën penale. Ish-anëtari i Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Nuri Bajrami, për TVM2 vlerëson se është e turpshme për shtetin dhe politikën, që në një institucion që lufton korrupsionin të ndodhë një rast i tillë.
 
Sipas Bajramit, kjo përbërje e KShPK-së ka qenë e diskutueshme që në fillim të përbërjes së saj, por që Komisioni për Çështje dhe Emërime nuk ka marrë parasysh rekomandimet. Sipas Bajramit, rekomandimet e  Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk janë përfillur nga organet e ndjekjes dhe si i tillë nuk ka përse të ekzistojë.
 
“Definitivisht është turp i institucionit, është turp i politikës, është turp për shtetin. Pas gjithë kësaj, kur në një  institucion të tillë ndodh kjo që e dëgjuam, sikur mos të jetë gjithë e vërtet, mjafton të përmendet emri i një bartësi të funksionit të tillë, nuk ke si të thuash kulmi i turpit. Ky institucion nuk ka më vlerë të ekzistojë edhe më tej si institucion i pavarur, për arsye se s’ka as pavarësi, as fuqi, ndërsa tani keni korrupsion në nivelin më të lartë të institucionit antikorrupsion. Rekomandimi ndaj politikës që trumbeton në luftën kundër korrupsionit është që sinqerisht t'i kushtojnë rëndësi përzgjedhjes së kuadrove dhe ta kultivojnë integritetin e personave.”, - deklaroi ish-anëtari i KShPK-së, Nuri  Bajrami.
 
Rasti “Aditivët” ka të bëjë me blerje të dyshimta të mazutit për EMV-në dhe TEC - Negotinë, të cilat, sipas Prokurorisë, shkaktuan dëme prej gjashtë milionë eurosh e gjysmë.
 
Në këtë rast, aktualisht dyshohen 34 persona dhe disa persona juridikë, përfshirë ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati, si dhe pasardhësin e tij, Vasko Stefanov. Dimitrovska u zgjodh në krye të Komisionit për Antikorrupsion në nëntor të vitit 2023.
 
FLORIJE KAMBERI