Botë

Bota i thotë lamtumirë Papa Françeskut, mijëra besimtarë në ceremoninë e varrimit

26.04.2025 11:29

Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare....

Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare. Mijëra besimtarë nga e gjithë bota kanë udhëtuar drejt Vatikanit për t’i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej papëve më të dashur të kohëve moderne. Që prej mëngjesit herët, sheshi është mbushur me njerëz që kërkonin të siguronin një vend për të ndjekur ceremoninë, ndërsa më shumë se 250 mijë besimtarë i bënë homazhe Papës gjatë tri ditëve të bdejes publike në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Meshën e varrimit e udhëheq Kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, ndërkohë që ceremonia pasqyron përulësinë dhe thjeshtësinë që vetë Papa Françesku kishte kërkuar për funeralin e tij. Arkivoli i tij prej druri të thjeshtë është vendosur para Bazilikës, pa platforma të ngritura, dhe mbi të qëndron një libër i Ungjillit, i hapur, si simbol i misionit të tij për të përhapur fjalën e Zotit. Në ceremoni marrin pjesë 164 delegacione nga mbarë bota, mes të cilëve më shumë se 50 presidentë dhe kryeministra, si dhe përfaqësues të familjeve mbretërore. Mes tyre është edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila përfaqëson vendin në këtë moment historik për Kishën Katolike. Për mbarëvajtjen e ceremonisë janë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie. 
 
Mbi 2.500 policë dhe 1.500 ushtarë janë angazhuar në dhe rreth Vatikanit, ndërsa është ndaluar edhe hapësira ajrore mbi Romë. Një anije luftarake dhe skuadrone avionësh qëndrojnë në gatishmëri për çdo emergjencë të mundshme.
Pas përfundimit të meshës, arkivoli i Papa Françeskut pritet të transportohet drejt Bazilikës së Santa Maria Maggiore në Romë, ku do të prehet pranë Kapelës Pauline, në përputhje me dëshirën e tij të fundit. Ky është një moment historik, pasi bëhet fjala për Papën e parë që do të varroset jashtë Vatikanit që nga fillimi i shekullit XX.
 
 Ceremonia e sotme shënon gjithashtu fillimin e "Novemdiales", një periudhë nëntë ditorë zie gjatë së cilës do të mbahen mesha ditore në nder të Papës së ndjerë. Në këto ditë, Kisha Katolike dhe besimtarët e saj do të kujtojnë jetën dhe veprën e Papa Françeskut, një njeri që mbeti simbol i mëshirës, përulësisë dhe drejtësisë sociale në kohët moderne.