Maqedoni

Reagime politike, BDI: Ejani në zgjedhje të parakohshme

26.04.2025 13:54

Kërkesa për zgjedhje të parakohshme dhe stabiliteti qeveritarë, tema të përplasjeve politike....

Kërkesa për zgjedhje të parakohshme dhe stabiliteti qeveritarë, tema të përplasjeve politike. BDI kërkon me ngulm zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga kjo parti dalim me kërkesë të hapur në drejtim të partive shqiptare në qeveri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. 
 
“Nëse mendoni se populli pajtohet që partitë humbëse të përfaqësojnë shqiptarët – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se është në rregull që ministrinë për Marrëveshjen e Ohrit ta udhëheq një putinist që mohon atë – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët e pranojnë anulimin e balancuesit – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se punësimet një etnikë, përjashtuese nuk shqetësojnë askënd – ejani në zgjedhje!”, tha Dren Gashi nga BDI. 
 
VLEN: BDI tenton të fsheh krimin e bërë
 
Nga ana tjetër nga VLEN theksojnë se në mungesë të një reformimi, BDI tenton të nxitë kriza artificiale, me të vetmin qëllim që të shpëtojë veten nga përgjegjësia që duhet ta japin për siç thonë, krimin e bërë. 
 
“Sot i shohim të kapur në një panik patetik, duke lypur pushtetin sikur të ishte frymëmarrja e tyre e fundit politike. Në mungesë të çdo ideje apo vizioni, ata vazhdojnë të gënjejnë votuesit e tyre me premtime boshe dhe thirrje të mjerueshme për zgjedhje të parakohshme – vetëm për një qëllim: për të shpëtuar veten, pasuritë e tyre dhe dosjet që çdo ditë po dalin në dritë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
 
LSDM: Qeveria në grindje të vazhdueshme
 
Ndërkohë zhvillimet e fundit politike kanë përplasur edhe partitë maqedonase. Sipas LSDM-së koalicioni qeveritar i VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it është në grindje të vazhdueshme dhe plotësisht jofunksional. 
 
“Në vend që të punojnë për interesat e qytetarëve, ata angazhohen në llogaritje të ndërsjella, bllokada dhe kalkulime partiake. Ndërsa qeveria DPMNE po mbytet në mosmarrëveshje dhe nuk ka kapacitet për të zbatuar projekte dhe politika me interes për qytetarët, shteti qëndron në vend! Ekonomia është në shtangim dhe në rënie të vazhdueshme, institucionet janë jofunksionale.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
VMRO-DPMNE: Qeveria është stabile
 
Reagojnë nga VMRO-DPMNE, duke thënë se Qeveria është e qëndrueshme, funksionale dhe plotësisht e përkushtuar për të siguruar rritje dhe zhvillim ekonomik dhe një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët.
 
“Demokracia mbretëron në koalicionin qeveritar ku secili ka të drejtën e mendimit të vet, të shprehjes së lirë dhe të veprimit partiak. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE po punon me përkushtim për të rivendosur funksionalitetin e institucioneve të sistemit, në të cilat sundimi i LSD-së la shkatërrim të plotë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
 
ERSAN PAJAZITI