Botë

Bota i thotë lamtumirë Papa Françeskut, mijëra besimtarë në ceremoninë e varrimit

26.04.2025 14:44

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në sheshin Shën Pjetri në Vatikan për të marrë pjesë në varrimin e papës....

Lamtumira e fundit për papën Françesku. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në sheshin Shën Pjetri në Vatikan për të marrë pjesë në varrimin e papës. Pelegrinët, priftërinjtë ortodoksë, murgeshat, mbi 160 delegacione, i bënë nderime Shënjtërisë së Tij. Ndër të pranishmit ishin presidenti amerikan Trump, presidenti francez Macron, Princi William dhe kryeministri britanik Starmer, presidenti ukrainas Zelensky, presidentja Gordana Sijanoska Davkova, dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Guterres.
 
“Papa Françesku zakonisht përfundonte fjalimet dhe takimet e tij duke thënë: ‘Mos harroni të luteni për mua.’ Tani, i dashur Papa Françesk, ne të kërkojmë ty të lutesh për ne. Dhe të kërkojmë që nga qielli të bekosh Kishën, të bekosh Romën dhe të bekosh gjithë botën, ashtu siç bëre të dielën e fundit nga ballkoni i kësaj Bazilike në një përqafim të fundit me gjithë popullin e Zotit, por gjithashtu përqafo njerëzimin që kërkon të vërtetën me një zemër të sinqertë dhe mban lart pishtarin e shpresës.”, tha dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re.
 
Nën masa të forta sigurie nga Garda Zvicerane dhe mijëra policë italianë nga njësi të ndryshme, ceremonia e varrimit filloi herët këtë mëngjes në bazilikën "Shën Pjetri", dhe më pas vazhdoi në sheshin me të njëjtin emër. Arkivoli u transportua në Romë, në vendin e përjetshëm të papës në bazilikën "Santa Maria Maggiore". Françesku është papa i parë që u varros jashtë Vatikanit pas më shumë se një shekulli, dhe udhëzimet për ceremoninë i dha ai vetë. Ai i rishikoi dhe i thjeshtoi ritualet, dhe qëllimi i tij ishte të theksonte rolin e papës si një prift i zakonshëm dhe jo si "njeri i fuqishëm i këtij bote".
 
“Ai është personi më i thjeshtë që kam takuar ndonjëherë, që kam njohur ndonjëherë.”, u shpreh një qytetare.
 
“Për mua, po them se ai është një shenjtor, një njeri i butë, një njeri i paqes që dëshironte paqe për të gjithë botën. Kemi lutur shumë. Jemi këtu për t'i bërë nderime, sepse ai gjithmonë thoshte: „Mos harroni të luteni për mua.”, tha një murgeshë.
 
“Erdha këtu në meshë për t'u nda nga papa Françesku sepse ai bëri shumë për kishën, kujdesej për të gjithë dhe para së gjithash dëshironte paqe.“, u shpreh një murgeshë.
 
“Papa Françesku na kujton se jemi të krishterë dhe duhet të jetojmë si të krishterë. kjo është gjëja më e bukur.”, u shpreh kardinali Fernando Filoni.
 
“Më kujtohet buzëqeshja e tij dhe gëzimi i tij.”, tha kardinali Vincent Nichols.
 
Papa Françesku, i lindur si Horhe Mario Bergoglio në Buenos Aires, Argjentinë, vdiq në Paskalën e Madhe, në moshën 88-vjeçare nga një goditje në tru dhe ndalim të zemrës në rezidencën e tij në Vatikan. Ai ishte papa i 266-të dhe papa i parë që ka lindur jashtë Europës në më shumë se një mijëvjeçar. Zgjedhja e papës të ri pritet të fillojë në Kapelën Sikstin më 5 maj.
 
ERSAN PAJAZITI