Rajon
Ndarja e Papa Françeskut nga jeta, Gjergji: La një trashëgimi për kishën dhe Shqipërinë
26.04.2025 15:15
Ndarja nga jeta e Papa Françeskut është e dhimbshme, por plot shpresë, pasi ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme...

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut është e dhimbshme, por plot shpresë, pasi ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme jo vetëm për Kishën Katolike botërore, por edhe për Shqipërinë. Kështu u shpreh prifti katolik i Ipeshkvisë së Kosovës, Lush Gjergji. Sipas tij, Papa Françesku e paraqiti Shqipërinë në sytë e botës si një popull të lashtë, martir, paqedashës dhe liridashës.
“Me vizitën historike të vitit 2014, shpalljen e martirëve të lirisë dhe demokracisë, dhe me shenjtërimin e Nënës sonë Terezë, ai na dha një vend të nderuar në zemrën e Kishës. Na përshkroi si popull të lashtë, martir, të hapur, paqedashës, jetëdashës dhe liridashës. Gjatë gjithë jetës së tij punoi për dialogun ndërkishtar dhe ndërfetar. Për ne shqiptarët pati gjithmonë fjalët më të mira. Tha: ‘Në Shqipëri nuk gjeta vetëm dialog, por gjeta vëllazëri shqiptare.’”, u shpreh prifti katolik i Ipeshkvisë së Kosovës, Lush Gjergji.
Gjergji theksoi se ndonëse varrimi i Papës shënon fundin e një epoke, veprat dhe mesazhet e tij mbeten të gjalla. Ai e cilësoi Papën si “binjak shpirtëror” të Nënës Terezë, duke theksuar thjeshtësinë, dashurinë për të varfërit dhe përkushtimin ndaj paqes dhe dialogut ndërfetar.
“Varrimi simbolizon fundin e një epoke të Kishës dhe historisë. Varroset trupi, por shpirti i tij kthehet te Zoti. Ai ishte sikur binjaku shpirtëror i Nënës Terezë – me thjeshtësi dhe kujdes për të varfërit në mendje dhe në zemër. Ideal i jetës së tij ishte Shën Nëna jonë Terezë. Do të mbahet mend për angazhimin e tij në dialogun mes krishterëve, myslimanëve, hebrenjve dhe gjithë njerëzve të vullnetit të mirë.”, tha Gjergji.
Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pas një goditjeje në tru që çoi në dështim të zemrës. Ai vuante gjithashtu nga pneumonia dhe probleme të tjera respiratore.
ARMEN MURSELI
