Maqedoni

Likovë, fillon rikonstruimi i disa rrugëve

26.04.2025 16:50

Gjatë ditës së sotme kanë filluar punimet për rikonstruimin e tërësishëm të rrugës lokale që lidhë fshatrat Orizare dhe Sllupçan...

Gjatë ditës së sotme kanë filluar punimet për rikonstruimin e tërësishëm të rrugës lokale që lidhë fshatrat Orizare dhe Sllupçan e që ishte një kërkesë e kamotshme e këtyre dy bashkësive lokale. Rikonstruimi në fjalë, në total, arrin koston prej 35 milionë denarë, mjete këto të siguruara nga aplikim i projekteve në qeverinë e RMV-së, në kuadër të kredisë Hungareze.
 
“Bëhet fjalë për rrugën lokale nga fshati Orizare në drejtim të fshatit Sllupçan. Besoj se është një proekt i kërkuar nga të dyja bashkësitë lokale qysh më herët dhe filluam sot me punimet ku gjatësia e rrugës është 3 kilometra kurse gjerësia 5 metra duke paraparë edhe kanalizimin atmosferik në bazë të proektit dhe rregullimin e tretoareve si dhe tamponimin e nevojshëm.”, u shpreh kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
Kreu i komunës së Likovës, Erkan Arifi, gjatë inspektimit të punimeve gjithashtu na njoftoi se në bazë të aplikimeve të reja deri tek Qeveria e RMV, për përfitimin e mjeteve nga kredia hungareze, parashohin edhe ndërtimin e disa rrugëve tjera  në fshatrat e komunës.
 
“Tash jemi në përgatitje dhe aplikim te linja kreditore Hungareze për rikonstruimin e tërë rrugëve si në Nukushtak, në Likovë nga lagja “Therranda”, në fshatin Orizare rruga që shpie për tek çerdhja, për të vazhduar edhe për tek “Mëhalla e Epërme”, po ashtu këtu në Sllupçan rruga që shpie për tek shkolla fillore, si dhe në fshatin Vaksincë në brendi të saj kemi parapa që të gjitha rrugët kryesore të asfaltohen.”, tha Arifi.
 
Për të gjitha këto projekte, komuna e Likovës ka përgatitur dokumentacione teknike dhe se të njëjtat i ka dorëzuar deri tek Qeveria e RMV, me çka presin që sipas ligjit të paraparë, siç thonë nga kjo komunë, këto mjete na takojnë e që deri në vitin e ri do t’i përfundojmë të gjitha këto rrugë.
 
FATLUM AQIFI