Rajon

Kosovë, dështon sërish konstituimi i Kuvendit

27.04.2025 12:36

Edhe sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

Ka dështuar sërish përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Vetëm 57 vota kanë qenë për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare që mbetet emri i vetëm që Vetëvendosje propozon  të jetë në krye të Kuvendit. 41 deputetë kanë votuar kundër, ndërkaq 3 kanë abstenuar.  Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbylljes së seancës tha se krejt kjo po ndodh për shkak të 'tekeve' të LVV-së.
 
“Demokracia është verdikti i shumicës, nëse këta nuk e kanë shumicën parlamentare nuk mund ta imponojnë vullnetin e tyre me zor.”, tha kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.
 
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për përsëritjen e vendimit dhe për pengimin e procesit politik.
 
“Në tërë historinë e Republikës së Kosovës ka pasur parti që nuk kanë fituar, nuk mundesh me imponu kandidatin.”, tha Hykmete Bajrami nga LDK.
 
Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se  nëse LVV do të kishin bërë angazhim të vërtetë për sigurimin e votave, do të kishin mundur të siguronin më shumë mbështetje.
 
"Rezultati po përsëritet vazhdimisht dhe unë mendoj se ata po e bëjnë këtë qëllimisht me kandidatin e propozuar.”, tha Time Kadrijaj nga AAK.
 
Por nga VV thonë se kjo parti nuk po bllokon procesin dhe se deputetët e saj po votojnë propozimin, përfshirë edhe disa vota të minoriteteve. Murati tha se ka progres pasi që sot votuan 41 vota kundër propozimit të VV-së për kryeparlamentare.
 
“Ne kemi kryer obligimin tonë kushtetues, duke propozuar kandidatin për kryetar dhe duke votuar për. Ata që thonë se po bllokohet nga të gjithë dhe të gjithë duhet të ndajnë përgjegjësinë e kanë gabim. Bllokada s’bëhet me votë për. Ne përtej saj s’mund të votojmë vota të tjera.”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja “VV”.
 
Ndërkohë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, thotë se është e qartë se duhet të krijohet shumica parlamentare, e cila më pas do të zgjedh edhe kryetarin e Kuvendit, dhe Qeverinë. Seanca e radhës është caktuar për më 29 prill.