Maqedoni

Gashi: Shumica parlamentare është stabile

27.04.2025 13:31

Gashi ka deklaruar se shumica parlamentare është e qëndrueshme, dhe nuk ka ndonjë lëvizje të pa-pritur...

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se shumica parlamentare është e qëndrueshme, dhe nuk ka ndonjë lëvizje të pa-pritur, pavarësisht nëse dikush largohet nga Qeveria apo bëhet pjesë e saj. Ai beson se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në një orar të rregullt. Ai është shprehur optimist se edhe Ligji i ri për përfaqësimin e barabartë pritet të miratohet deri në fund të muajit.

“Shumica është stabile, dhe mendoj se kështu edhe duhet të vazhdojmë, pa marrë parasysh nëse dikush hynë apo del nga Qeveria, sepse kjo nuk do të ndikon në numrin e deputetëve të cilët përbëjnë shumicën Parlamentare, sepse këtë shumicë e përbëjnë diku rreth 80 deputet, apo 2/3. Kjo shumicë mendoj se duhet të vazhdojë me mandatin e sajë deri në fund, dhe me këtë të japim një stabilitet politik, dhe me këtë të tregojmë para qytetarëve se kemi institucione stabile.”, u shpreh kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.
 
Gashi ka folur edhe për Zgjedhjet Lokale, të cilat duhet të shpallen më së voni deri në fillim të muajit gusht. Sipas tij ato nuk duhet ti krahasojmë me Zgjedhjet Parlamentare, apo me shumicën që përbëjnë Qeverinë. 
 
“Nga ana tjetër po na afrohen Zgjedhjet Lokale, dhe jam i mendimit se nuk duhet të na kapin ethet e zgjedhjeve, por këtu janë i mendimit se duhet ti kuptojmë ashtu siç janë edhe sipas natyrës së tyre. Në këto zgjedhje temat kryesore janë kanalizimi, furnizim me ujë, rrugë më të pastra, ndriçim dhe nuk duhet të sjellim tek qytetarët politika të mëdha, prandaj them se Zgjedhjet Lokale nuk duhet ti vendosim në të njëjtën vijë me ato Parlamentare, apo ti krahasojmë me ndonjë shumicë në Parlament.”, tha Gashi.
 
Gashi gjithashtu ka folur edhe për zhvillimet e fundit në koalicionin VLEN, ku sipas tij, kjo është çështje që do të vendoset nga udhëheqësit politikë të koalicionit, dhe paralajmërimet për konsolidimin ose homogjenizim të VLEN-it në një parti të vetme politike, do ti shuajnë paqartësitë. 
 
FITIM KRYEZIU