Maqedoni
BDI: Qeveria distancon vendin nga BE
27.04.2025 14:21
Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara rreth punës së qeverisë...

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara rreth punës së qeverisë. BDI akuzon pushtetin për distancim nga rruga evropiane dhe shmangie nga premtimet para qytetarëve. Sipas tyre vetëm zgjedhjet e parakohshme mund t’i sigurojnë stabilitet politik vendit.
“Vendit i duhet stabilitet afatgjatë politik që mund të sigurohet vetëm përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale. Kjo do të krijojë hapësirë pa përballje zgjedhore për disa vjet, duke i mundësuar elitave politike të hyjnë në procese të thella për shpëtimin e dosjes evropiane të vendit dhe kapjen e mundësisë së fundit për t’u rikthyer në rrugën evropiane së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi.”, thonë nga BDI.
VLEN: BDI shkatërroi institucionet
Ndërkohë në reagimin e koalicionit VLEN thuhet se BDI për 20 vite ka shkatërruar institucionet duke i kthyer ata në degë partie.
“BDI që çdo institucion shndërroi në degë partie, që nënçmuan intelektualët, që ia dorëzuan të drejtat shqiptare pazareve të ulëta, sot kanë frikë nga drejtësia. VLEN është përgjigja e shqiptarëve ndaj kësaj politike të kalbur! VLEN është në qeveri për të zbatuar ndryshimin që shqiptarët e kërkuan me zë të lartë dhe nuk do të ndalet deri sa secili shqiptar të ndjehet i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në vendin e vet. Në tetor, në zgjedhjet lokale, VLEN do t’i fitojë të gjitha komunat shqiptare!”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
LSDM: VMRO-DPMNE nuk po zbaton programin
Ndërkohë nuk kanë munguar përplasjet edhe midis forcave politike maqedonase. LSDM thotë se janë të gatshëm për zgjedhje duke akuzuar VMRO-DPMNE-në se nuk po zbaton programin e premtuar.
“LSDM është e përgatitur për zgjedhje, sigurisht që jemi të organizuar dhe sigurisht që i shohim ndjenjat dhe perceptimet e qytetarëve. Kjo qeveri po merret me gjithçka, po merret me problemet e koalicionit që kanë brenda dhe jo me problemet e qytetarëve dhe jo me zbatimin e programit që premtuan para zgjedhjeve.”, u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Qeveria po punon me përkushtim për qytetarët
Nga VMRO-DPMNE thonë se qeveria po punon me përkushtim për të mirën e qytetarëve dhe shtetit. Kjo sipas tyre u konfirmua nga sondazhi i fundit i opinionit publik nga agjencia Market Vision.
“Sondazhi tregoi se VMRO-DPMNE, kryetari i saj dhe kryeministri, Hristijan Mickoski, udhëheqin bindshëm dhe besim të padiskutueshëm nga qytetarët. Kryetarit Mickoski i besojnë 25.4 përqind e të anketuarve, krahasuar me Venko Filipçen, për të cilin do të votonin vetëm 3.8%. Në zgjedhjet e ardhshme, një shifër e lartë prej 51.7% e të anketuarve do të votonin për VMRO-DPMNE-në, dhe nëse do të kishte zgjedhje nesër, 64.4% e qytetarëve do të votonin.”, thuhet në reagimin e VMRO-PDMNE-së.
FITIM KRYEZIU
