Maqedoni

27 prilli, tetë vite nga ngjarjet e dhunshme në Kuvend

27.04.2025 14:44

Sot, tetë vite më parë ndodhën ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut...

Sot, tetë vite më parë ndodhën ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që njihet edhe si “E Enjtja e përgjakshme”. Më 27 prill 2017, gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi, një turmë protestuesish, të nxitur nga iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët”, theu kordonin policor dhe hyri me dhunë në godinën e Kuvendit, ku u sulmuan deputetë, gazetarë dhe nëpunës, ndërsa mbi 100 persona u plagosën. 
 
Ndër më të goditurit ishte kryetari i ASh-së Ziadin Sela. Ai sot përkujtoi ngjarjet e tmerrshme që për pak sa i morën jetën, ndërsa kritikoi qasjen e qeverisë, që sipas tij, i amniston dhunuesit. 
 
“A ka ngelur ndonjë prej atyre të cilët u dënuan për 27 prillin sot në burg. Nuk besoj që ndonjë ka ngel aty. Përkundrazi duan t’i shndërrojnë dhe t’i kthejnë si hero. Ndërkohë që 27 prilli ishte momenti kur u tentua të vritet ASh si koncept politik, por përkundrazi iu dha jetë dhe po të njëjtit aktorë kanë marrë jetë politike nga ndodhitë e 27 prillit.”, u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Ndërkohë, LSDM vlerëson se 27 prilli është data më e zezë në historinë e demokracisë maqedonase. 
 
“Banditë të armatosur hynë me forcë në Parlament me qëllim vrasjen e deputetëve, gazetarëve dhe oficerëve të policisë, duke e çuar vendin në prag të luftës civile. LSDM, së bashku me qytetarët, nuk do të lejojë që e ‘Enjtja e Përgjakshme’ të harrohet, nuk do të lejojë që 27 Prilli të përsëritet kurrë”, thotë partia.
 
Reagojnë nga VMRO-DPMNE duke thënë se çdo akt dhune duhet të sanksionohet, por edhe padrejtësitë, poshtërimet dhe tradhtitë e LSDM-së nuk duhet të harrohen. 
 
“27 prilli nuk do të harrohet, por as dita kur LSD-ja tradhtoi Maqedoninë. Megjithatë, kryengritja popullore për akte të tilla të pabesa dhe të paharrueshme do të mbetet e shkruar në analet e historisë maqedonase, sepse dikush që duhej ta kishte mbrojtur Maqedoninë, më vonë foli publikisht se mbështeste kantonizimin, federalizimin, shpërfytyrimin dhe poshtërimin e Maqedonisë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. 
 
Përndryshe për këtë rast është shqiptuar dënim i përgjithshëm me burg prej 211 viteve 16 të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. 
 
ERSAN PAJAZITI