Maqedoni
Maturantët në ethet e maturës shtetërore, nxënësit në ZLM po bëjnë përgatitjet e fundit
27.04.2025 15:00
Përgatitjet për maturën shtetërore ndodhen në fazën përfundimtare me stresin e natyrshëm që sjell ky provim...

Përgatitjet për maturën shtetërore ndodhen në fazën përfundimtare me stresin e natyrshëm që sjell ky provim nxënësit dhe mësimdhënësit janë të përgatitur që gjithçka të shkoj sipas planit.
Përgatitjet e fundit po bëhen edhe në shkollën e mesme Zef Lush Marku në Shkup. Drejtori i kësaj shkolle siguroi se organizimi është në nivelin e duhur dhe se nxënësit, bashkë me mësimdhënësit, janë të përgatitur për të kaluar me sukses këtë fazë të rëndësishme të arsimit të mesëm.
“Për këtë vit shkollor në shkollën tonë Zef Lush Marku provimit shtetërorë do ti nënshtrohen 450 maturant. Më 31 maj është provimi i parë në gjuhën shqipe, pastaj me 11 qershor është provimi në gjuhën angleze, pastaj provimet interne do të mbahen pas 15 qershorit. Nxënësit do ti nënshtrohen provimit shtetëror në sallë dhe në hollin e shkollës sikur vitin e kaluar. Nxënësit pas orarit mësimor me mësimdhënësit në gjuhën shqipe edhe me mësimdhënësit në gjuhën angleze ushtrojnë që provimin ta kalojnë në mënyrë të përkryer.”, u shpreh drejtori i ZLM-së, Arben Mehmedi.
Edhe nxënësit shprehen se janë duke u përgatitur në mënyrë të vazhdueshme si individualisht ashtu edhe në bashkëpunim me profesorët në orë shtesë.
“Po përveç faktit që secili prej neve po përgatitet në mënyrë individuale qoftë ajo në shtëpi apo gjithkund tjetër. Po ashtu edhe mësimdhënësit tek shkolla jonë po na ofrojnë shumë mundësi që edhe jashtë orarit mësimor po na ndihmojnë nëpërmjet testimeve të maturës. Janë duke na ndihmuar në mënyra të shumta.”, u shpreh një maturant.
“Po sigurisht të mos stresohemi të mos bëjmë panik pa nevojë dhe këshilla më e mire do të jetë ajo e cila të na japin motiv që të mësojmë dhe të vazhdojmë më tepër.”, tha një maturant.
“Si lëndë më e rëndësishme zgjedhore është lënda e matematikës që vetëm një pakicë e vogël e kanë zgjedhur si lëndë për tu testuar, janë rreth 20 nxënës prej krejt shkollës, por edhe historia është një prej lëndëve që është e rëndësishme dhe rënd pasi ka shumë mësime.”, u shpreh një maturant.
Nxënësit shprehen optimistë dhe të vendosur për të kaluar me sukses provimet e maturës që të mund të realizojnë ambiciet e tyre për të vazhduar shkollimin e lartë.
ABIBE QAILI
