Maqedoni

Sela: S’jam takuar me Mickoskin, nëse takohemi, flasim ndryshimin e kushtetutës

27.04.2025 15:18

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela mohon se është takuar apo se ka planifikuar takim me kryeministrin Hristijan Mickoski....

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela mohon se është takuar apo se ka planifikuar takim me kryeministrin Hristijan Mickoski. Megjithatë, siç tha Sela, nëse vie deri te një takim i tillë opinioni do të njoftohet me kohë, ndërsa temat e diskutimit do të ishin ndryshimi i Kushtetutës, si heqja e emërtimit 20% për gjuhën shqipe dhe çdo ligj që votohet me Badinter në Parlament, vendimi në Gjykatën Kushtetuese të merret me Badinter.
 
“Assesi nuk dua të diskutojë ato që i dëgjojmë nga eksponentët e VMRO-së nëpër media që sillen si tregtarë me të drejtën tonë. Kushtëzojnë një të drejtë tonën me një të drejtë tjetër tonën. Po, thonë, gjuha shqipe mund të futet në Kushtetutë, por ne për këtë duam ndarje të re territoriale, ta marrim Strugën, ta marrim Kërçovën. Por ne kemi të flasim një çështje tjetër shumë të rëndësishme. Për çdo ligj që sillet në Kuvend me Badinter, vendimi në Gjykatën Kushtetuese të merret me Badinter.”, u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Bashkëpunimi me VLEN? Sela: Faktori politik shqiptar të bashkohet 
 
Sela gjithashtu mohoi bashkëpunimin me VLEN-in në rast të daljes së Taravarit nga ky koalicion, duke thënë se nuk mendon të hyjë në aventura të tilla. Megjithatë bëri thirrje që i gjithë faktori politik shqiptarë të bashkohet me kërkesa të përbashkëta për realizimin e te drejtave shqiptare në Maqedoni të Veriut. 
 
“Unë jam për bashkim të faktorit politik shqiptarë për tu bërë të qarta në letër pesë gjëra që ne duhet ti realizojmë dhe për ti dhënë fund dhe ta ndërpresim këtë mësymje të faktorit politik maqedonas në qeveri, dhe jo vetëm, iu bëjnë të drejtave të shqiptarëve dhe qenies shqiptare këtu në Maqedoni të Veriut.”, tha Sela.
 
Përndryshe, mundësia e përfshirjes së ASH-së së Ziadin Selës në koalicion qeveritar është përfolur pas ndodhive në VLEN, ku ASh e Arben Taravarit vendosi që të garojë e vetme në zgjedhje lokal, pas çka krerët e VLEN-it konstatuan, siç thanë, vetë-përjashtimin e Taravarit nga VLEN-i.
 
ERSAN PAJAZITI