Botë
Shpërthim i fuqishëm në Iran, 25 të vrarë e 800 të plagosur
27.04.2025 16:31
Një shpërthim masiv ka shkaktuar vdekjen e të paktën 25 personave dhe plagosjen e 800 të tjerëve në portin kryesor të Iranit....

Një shpërthim masiv ka shkaktuar vdekjen e të paktën 25 personave dhe plagosjen e 800 të tjerëve në portin kryesor të Iranit. Shpërthimi, ka shkatërruar dritaret dhe çatitë e ndërtesave përreth, deri në 50 km larg nga vendi i ngjarjes. Disa persona rezultojnë ende të humbur. Dëshmitarët kanë treguar se shpërthimi u pasua nga një zjarr masiv dhe pamje kaotike u publikuan në rrjet me njerëz që po mundoheshin te shpëtonin.
“Dëgjova një shpërthim të madh, një zë të madh që na tronditi, pastaj pash që erdhën zjarrfikësit. Mund ta shikoni edhe vetë se sa është dëmtuar automobili. Të gjithë automobilët i kanë xhamat e thyer dhe kapakët e motorëve të dëmtuar.”, u shpreh një dëshmitar.
“Kur dola nga ndërtesa pashë një zjarr të madh, më pas u dëgjua zëri i fuqishëm i shpërthimit, pastaj pati një valë shpërthimesh, të gjitha xhamat dhe gurët e fasadës ranë.”, tha një i plagosur.
“E gjithë magazine ishte e mbushur me tym, pluhur dhe hi. Nuk më kujtohet nëse u futa vetë nën tavolinë apo u përplasa atje për shkak të fuqisë së shpërthimit. Nuk mbaj mend.”, u shpreh një i plagosur.
Sipas autoriteteve, zjarri kishte shpërthyer për shkak të një trajtimi të gabuar të një ngarkese me karburant për raketa balistike. Raportet sugjerojnë se ngarkesat mund të ishin të lidhura me raketa të importuara nga Kina. Një hetim i mëtejshëm ka treguar se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një depo me materiale kimike dhe të rrezikshme. autoritetet iraniane kanë pranuar se kishin lëshuar paralajmërime për sigurinë në magazinimin e kimikateve në këtë port, por ngjarja ka ndodhur për shkak të mospërfilljes së masave të sigurisë.
FARIJE BAKIU DAUTI
