Botë
Nepal, të paktën 4 viktima dhe disa ndërtesa të shembura
12.05.2015 12:17
Dy javë nga tërmeti shkatërrimtar, që mori më shumë se 8000 jetë njerëzish e rrafshoi zona të tëra të banuara...

Dy javë nga tërmeti shkatërrimtar, që mori më shumë se 8000 jetë njerëzish e rrafshoi zona të tëra të banuara, Nepali goditet nga një tjetër lëkundje e frikshme toke, e magnitudës 7,3 ballë.
Të paktën 4 viktima janë shkaktuar në një fshat qëndror të Nepalit pas kësaj tronditjeje, teksa raportohet se në Chautara të qarkut të Sindhupalchoëk, në veri të kryeqytetit Katmandu, humbjet e jetëve kanë ardhur pas shembjes së disa godinave, tha një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.
Një tjetër zyrtar i qarkut tha se 12 persona të tjerë janë plagosur, pikërisht në qarkun me numrin më të madh ndër 8 mijë viktimat e para dy javëve. Mësohet se pas lëkundjes së madhe ka pasur edhe tri të tjera më të lehta.
Epiqendra këtë radhë ishte në afërsi të qytetit Namche Bazar, pranë Everestit. Luhatjet janë ndierë deri në kryeqytetin e Indisë, Delhi dhe atë të Bangladeshit, Dhaka, pa përmendur dhe vetë Katmandunë e dëmtuar rëndë.
Epiqendra e regjistruar në zonën rurale pranë kufirit me Kinën, ka qenë në një thellësi prej 18,5 kilometrash, ndërsa ajo e tërmetit të 25 Prillit ishte në 15 kilometra thellësi.
