Maqedoni

Debat, reforma në Gjykatën Kushtetuese: A kemi nevojë për një ligj për Kushtetuesen?

28.04.2025 14:01

Gjykatës Kushtetuese i nevojitet reformim i tërësishëm i funksionimit të saj...

Gjykatës Kushtetuese i nevojitet reformim i tërësishëm i funksionimit të saj, duke siguruar mbrojtje më të madhe të të drejtave të njeriut. Ky është konstatimi i pjesëmarrësve në debatin kushtuar funksionimit të kësaj gjykate duke nënvizuar se kjo është e mundur vetëm përmes miratimit të një ligji të posaçëm për Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i kësaj gjykate, Darko Kostadinovski, vlerëson se përmes tij do të zgjidheshin dhe do të tejkaloheshin shumë çështje që tani rëndojnë mbi integritetin dhe funksionimin e gjykatës.
 
“Po, është i nevojshëm ligj për Kushtetuesen, por jo çfarëdo qoftë. Kemi dy mundësi që të intervenohet në Kushtetutë dhe  të parashikohet bazë kushtetuese për ligj prej dy të tretave për Gjykatën Kushtetuese. Qëndrimi im është në njëjtën vijë me mendimin e Komisionit të Venedikut ose të zbatohet modeli kroat, të miratohet ligj kushtetues. Në këtë mënyrë do të garantohet pavarësia me shumicë prej dy të tretash. Jam përkrahës i idesë që seancat e Gjykatës Kushtetuese të transmetohen drejtpërdrejt, pasi që qytetarët kanë të drejtë të dinë se cilat janë gjykatësit e tyre kushtetues, si rezenojnë dhe si vendosin.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
 
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, vlerëson se në këtë drejtim nevojitet të zgjerohet lista dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. 
 
“Sipas meje, reformat duhet të përfshjinë zgjerimin e listës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Do të doja të hiqet nga kompetencat e Kuvendit po ashtu edhe interpretimi autentik i ligjeve, sepse është mbetje nga komunizmi. Reformat nuk i bëjmë për shkak të BE-së, por i bëjmë për shkak të standardeve evropiane dhe parime që ne dëshirojmë t’i sjellim këtu. Mua më gëzon fakti që të gjithë këtu jemi dakord se na nevojitet qasje më e guximshme ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mundur që ajo të jetë edhe më e guximshme ndaj tre pushteteve  tjera dhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Kjo tryezë e rrumbullakët u organizua me mbështetjen e delegacionit të BE-së në Shkup, përmes mekanizmit IPA III dhe ambasadës së ShBA-së në vend, ku njëherit u prezantuan rezultatet e analizës për nevojën  e miratimit të ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
 
“Përforcimi i Kushtetueses nuk është vetëm kërkesë formale për anëtarësim në BE, por është investim stregjik në shtetin e së drejtës dhe është diçka që u nevojitet qytetarëve. Bëhet fjalë për reforma, ku Gjykata Kushtetuese duhet të luajë një rol të rëndësishëm dhe pikërisht për këtë arsye BE-ja me kënaqësi e mbështet gjykatën dhe përforcon kapacitetet e saj.”, - u shpreh ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
 
“Nuk mendoj se e teproj nëse ju them se tani është momenti kyç për të bërë reforma, jo vetëm për nevojën e Gjykatës Kushtetuese, por edhe për kolegët tuaj që ndodhen nëpër gjykata. Po ashtu është e rëndësishme edhe për qytetarët e këtij vendi. Andaj ju kisha lutur që të shfrytëzoni këtë moment, ju lus mbani mend se për kë punoni dhe pse jeni vendosur këtu dhe i lus gjykatësit dhe prokurorët që të rikujtojnë betimin që kenë dhënë. Ligjet sa do të që të jenë të ndërlikuara, ato mund të veprojnë në favor të qytetarëve.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angela Ageler.
 
Në këtë tryezë morën pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në vend, Petra Dreksler dhe ekipi i ekspertëve të lartë juridik, Martin Sopranov dhe Margarita Caca Nikollovska, të cilët prezantuan rezultatet e projektit të financuar nga BE-ja.
 
REXHEP QAMILI