Maqedoni

Durmishi: Siguria dhe shëndeti i punëtorëve është fokusi ynë

28.04.2025 14:14

Ministri i Ekonomisë ka kërkuar që përparimi digjital të shkojë paralelisht me kujdesin për shëndetin dhe mirëqenien e punëtorëve...

Në Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ministri i Ekonomisë ka kërkuar që përparimi digjital të shkojë paralelisht me kujdesin për shëndetin dhe mirëqenien e punëtorëve. Sipas tij, përparimi dhe teknologjia mund të krijojnë botë më të mirë, por vetëm nëse ajo ndërtohet në bazë të sigurisë, besimit dhe kujdesit për njerëzit. Ai paralajmëroi më shumë vende të reja pune që do të bazohen në teknologji dhe digjitalizim për të mbetur konkurues në tregun e punës dhe  për t’i mbajtur të rinjtë në vendin tonë.
 
“Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe digjitalizimi i botës afariste  në dekadën e fundit ka mundësuar hapjen e llojeve të reja të vendeve të punës, të cilat as nuk mund t'i imagjinonim dhjetë vjet më parë. Shumë vende pune, që dikur kanë qenë tradicionale, tani po ndryshojnë dhe po përshtaten me teknologjitë e reja dhe mënyrën e punës. Në të ardhmen do të hapen edhe më shumë vende të reja pune që do të bazohen në teknologji dhe digjitalizim.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. 
 
Në këtë drejtim, ministri shpalosi planin që parashikon  përshtatje më lehtë me nevojat e tregut të punës, pra që ndërlidhet me aftësinë kompjuterike dhe njohuritë digjitale, me qëllim rritjen e punësisë dhe konkurrencës në tregun e punës. 
 
“Me Planin Operativ  për Programe dhe Masa Aktive për Punësim dhe Shërbime në Tregun e Punës për vitin 2025 parashikojnë  disa masa që lidhen me trajnimin dhe zhvillimin e aftësive digjitale, siç janë trajnimi për aftësi të avancuara të IT-së, specialist për inteligjencë artificiale, specialist për rrjete, trajnim për marketing digjital dhe teknologji moderne të bazuara në inteligjencë artificiale.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Të gjitha këto trajnime, sipas ministrit Durmishi, do të mundësojnë rikualifikim, trajnim shtesë të të gjithë atyre që duan të fitojnë, por edhe të përmirësojnë aftësitë e tyre, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre dhe integrimin më të shpejtë në tregun e punës.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI