Gjykata Themelore në Prishtinë, fletarrest ndaj Radojçiqit dhe 19 serbëve të tjerë
Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës...

Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë lëshuar fletarrest ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë të Gjakovës, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë. Po ashtu ata akuzohen se kishin keqtrajtuar edhe 300 persona të tjerë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kërkesë ka cituar se më datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur 'Ura e Taliqit' në Gjakovë, nga data 7 maj e deri më datë 10 maj të vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.”, thekson Prokuroria Speciale e Kosovës. Mbi Radoiçiqin rëndon edhe akuza për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Radojçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës, por ai vazhdon të strehohet në Serbi, ku po ashtu ka filluar një hetim për rasti, por Radojçiqi vazhdon të jetë i lirë. Kosova e cilëson sulmin në Banjskë si terrorist dhe akuzon Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi. Por, autoritetet në Beograd mohuan të jenë përfshirë në sulmin në Banjskë. (Gyltene Sinani, TVM2)
