Botë
Ukrainë, java kyçe për përfundimin e luftës në Ukrainë
28.04.2025 14:50
Java kyçe për përfundimin e luftës në Ukrainë...

Java kyçe për përfundimin e luftës në Ukrainë. Nuk do të humbasim kohë, nëse nuk ka përparim në bisedimet mes Moskës dhe Kievit, është ky qëndrimi i sekretarit të shtetit amerikan, Rubio. Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se Zelenski dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Rusinë dhe është i gatshëm të heqë dorë nga Krimea. Trampi ka shprehur zhgënjim lidhur me sulmet ruse ndaj Ukrainës, pavarësisht diskutimeve. Deklarata erdhi pas takimit me presidentin ukrainas gjatë varrimit të Papa Françeskut, ku Zelenski kërkoi më shumë armë.
“I duhen më shumë armë, por ai e thotë këtë për tre vjet dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Dua të shoh se çfarë do të ndodhë, sepse isha i befasuar dhe i zhgënjyer, shumë i zhgënjyer që Rusia bombardoi vende pas diskutimeve. Dua që ata të ndalojnë të qëllojnë dhe të ulen dhe të nënshkruajnë një marrëveshje.”, -deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Truamp.
Rusia po përpiqet të mashtrojë ShBA-në dhe vendet e tjera dhe ta vazhdojë luftën, thotë presidenti ukrainas. Zelenski pretendon se është e nevojshme një përgjigje adekuate nga bota, me sanksione të reja dhe më shumë presion ndaj Moskës.
“Rusët flasin shumë për gatishmërinë e tyre të pretenduar për të pranuar propozimet amerikane, por deri tani nuk ka shenja se ushtria ruse po përgatitet për një heshtje të vërtetë. Presioni është i nevojshëm për t'i detyruar rusët të ndërmarrin të gjitha hapat, gjithçka që është e nevojshme për të ndaluar luftën.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kremlini është i gatshëm të arrijë një marrëveshje me ShBA-në për Ukrainën, megjithëse disa elemente duhet të përshtaten me kujdes, theksoi shefi i diplomacisë ruse. Lavrovi refuzoi të tregonte se për çfarë po diskutohet në bisedime, duke theksuar se ato nuk duhet të jenë publike.
“Ne jemi njerëz vërtet të sjellshëm dhe, ndryshe nga disa të tjerë, asnjëherë nuk flasim publikisht për atë që diskutohet në bisedime. Nëse doni të kërkoni mendimin e dikujt lidhur me thelbin, shkoni tek Zelenski. Ai është i lumtur të bisedojë me këdo përmes mediave, madje edhe me presidentin Tramp”, - u shpreh ministir i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.
Koreja e Veriut për herë të parë konfirmoi se ka dërguar ushtarë për të luftuar për Rusinë në luftën me Ukrainën me urdhër të liderit Kim Jong-Un. Njoftimi erdhi dy ditë pas deklaratës së Putinit se ata e kanë rikthyer plotësisht Rajonin e Kurskut. Autoritetet ukrainase e mohuan këtë pretendim. Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësim për përfshirjen direkte të Phenianit në luftë dhe kërkoi që dislokimi i forcave ushtarake të ndalet.
BELINDA KOKA ADEMI
