Maqedoni

UNT, Bekim Fetai merr detyrën e rektorit

28.04.2025 16:01

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup prej sot do të udhëhiqet nga rektori i ri prof. dr. Bekim Fetai....

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup prej sot do të udhëhiqet nga rektori i ri prof. dr. Bekim Fetai. Në ceremoninë e pranim-dorëzimit nga rektori i deritanishëm, Izet Zeqiri, te rektori i ri, Bekim Fetai, ky i fundit shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe shpalosi vizionin e tij për të forcuar rolin e Universitetit “Nënë Tereza”, si qendër e dijes, hulumtimit dhe inovacionit. Ai theksoi përkushtimin për të krijuar një ambient akademik, i cili jo vetëm që formon profesionistë të rinj, por edhe kontribuon në zhvillimin shoqëror përmes edukimit dhe mendimit kritik.
 
“Ne nuk jemi thjesht një institucion i të mësuarit, por një komunitet i përkushtuar i dijes, humanizmit, rritjes intelektuale, mendimit kritik dhe përgjegjësisë shoqërore. Bashkë do të ndërtojmë një universitet që do të jetë një qendër e dijes, që jo vetëm do të ndryshojë mendjet, por edhe do të edukojë zemrat e gjeneratave të reja. Do të punojmë të jemi qendër dhe tempull i dijes, bashkëpunimit kombëtar, ndërkombëtar dhe hulumtimit dhe inovacionit, që kontribuon në shoqërinë tonë.”, - deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Bekim Fetai.
 
Zeqiri: UNT-ja po zhvillohet vazhdimisht
 
Ish-rektori prof. dr. Izet Zeqiri, në fjalën e tij bëri një pasqyrim të punës së realizuar gjatë mandatit të tij, duke theksuar arritjet në rritjen e numrit të studentëve dhe investimet në infrastrukturën universitare. Ai nënvizoi përpjekjet për ndërtimin e objekteve të reja përmes donacioneve dhe mbështetjes së komunitetit të biznesit.
 
“Kur kam ardhur si rektor në UNT, tek objekti i sindikatës kishte një tablo në atë ndërtesë që ishte 50 me 50 centimetra se në atë ndërtesë është universiteti, kishim tre kate ku hynim në objekt që të themi se kundërmonte gjithandej era myk. Tash kemi kampusin me tre hektarë tokë me objekte përcjellëse ku shohim gjelbërim dhe aromë lulesh. Universiteti "Nenë Tereza" nuk kishte donacione fal lidhjes dhe besimit që kishim me partneret dhe komunitetin e biznesit realizuam mbi 3.000 euro donacione për të ndërtuar dhe rinovuar të gjitha këto objekte përcjellëse, të cilat i kemi këtu.”, - theksoi ish-rektori, Izet Zeqiri.
 
Janevska: UNT-ja do të ketë mbështetjen e MASh-it dhe Qeverisë
 
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se Qeveria do të sigurojë resurset e nevojshme për zhvillim të mëtutjeshëm të UNT-së. 
 
“Besoj se do të vazhdojë me vizionin për rritje edhe më të madhe të cilësisë së programeve studimore dhe me profesionizmin e tij do të kontribuojë që Universiteti "Nenë Tereza" të zhvillohet si institucion modern arsimor dhe shkencor, i denjë për mbështetjen që e merr. Presim që të sjellë energji të re dhe t’i motivojë profesorët universitarë dhe hulumtuesit, që në mënyrë profesionale të avancohen dhe t’i inspirojnë studentët, që të synojnë jo vetëm marrjen e diplomës, por edhe të fitojnë kualifikime të vërteta akademike.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Ministrja e Arsimit, Janevska, njëherit paralajmëroi edhe 34 milionë euro, që në 5 vitet e ardhshme Qeveria do t’i sigurojë për ndërtimin e një kampusi modern universitar.
 
ABIBE QAILI