Ligji për përdorimin e gjuhëve, nuk dihet kur do të jetë seanca përgatitore
Pas anulimit të seancës përgatitore për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve....

Pas anulimit të seancës përgatitore për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të tragjedisë në Koçan, Gjykata Kushtetuese akoma nuk ka caktuar një datë të re ku do të shqyrtohet iniciativa për kushtetutshmërinë e Ligjit në fjalë.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, edhe pse disa herë kishte akuzuar për ndikime politike, të cilat është zotuar se nuk do t’i tolerojë, kësaj radhe nuk deshi të japë informacione për atë se kur pritet të mbahet seanca përgatitore.
“Për çështjet jashtë temës do të përgjigjem të mërkurën, sepse për mua është shumë me rëndësi kjo ngjarje.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Ndërkohë, presidentja e shtetit, Siljanovska Davkova, pa dashur të ndikojë mbi Gjykatën Kushtetuese dha një mendim të përgjithshëm, duke thënë se edhe në këtë rast duhet përpikëri, si dhe të respektohet Kushtetuta dhe aktet e tjera juridike. Ajo kërkoi që politika mos të prekë vendimet që nuk i takojnë.
“Të mbështeten në Kushtetutë, ta mbrojnë Kushtetutën, të jenë të guximshëm, t’i përmbahen Komisionit të Venedikut dhe kështu nuk do të gabojnë. Kur të vendosin, të abstragohen nga politikanët.”, - u shpreh kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Në seancën përgatitore që duhej të mbahet më 20 mars, pjesëmarrjen e tyre e kishin paralajmëruar gjykatës nga Komisioni i Venedikut, gjykatës vendorë, profesorë dhe ekspertë, që duhej të jepnin mendimin e tyre lidhur me 6 pikat kontestuese të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Edhe pse nuk dihet akoma se kush janë emrat që sërish kanë konfirmuar pjesëmarrjen ne seancën përgatitore, e qartë është se këto mendime juridike do të sublimohen në raportin e lëndës. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
