Rasti “Aditiv”, Ivanovska: Kryetarja e KShPK-së të japë dorëheqje

28.04.2025 16:57

Ish-kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit....

Ish-kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryetares aktuale, Tatjana Dimitrovska, duke theksuar se ajo po vazhdon të dëmtojë rëndë integritetin e institucionit.

Reagimi i Ivanovskës vjen pas përfshirjes së Dimitrovskës në një hetim të zgjeruar për rastin "Aditiv", ku ajo dyshohet se ka zbuluar sekrete zyrtare ndaj një personi të akuzuar në këtë çështje.

"Kryetarja e KShPK-së duhet urgjentisht të japë dorëheqje, sepse në këtë mënyrë ajo vazhdon ta infektojë institucionin. Ajo duhet të largohet që institucioni të ketë mundësi të pastrohet lirshëm. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur; tani duhet të shohim si të veprojmë më tej, pra duhet të kërkohet një zgjidhje. Tani është radha e Kuvendit, cilat mekanizma mund të përdorë dhe çfarë mund të bëjë vetë institucioni në drejtim të vetëvlerësimit të rreziqeve nga korrupsioni.”, - deklaroi ish-kryetarja e KShPK-sëm Biljana Ivanovska.

Georgiev: Akuzat dëmtojnë imazhin e KShPK-së

Edhe ish-anëtari i KShPK-së, Vladimir Georgiev, tha se përgjegjësia është individuale për secilin anëtar, megjithatë ajo ndikon në punën e të gjithë institucionit dhe në imazhin e tij në opinionin publik.

"Ajo që doli nga veprimet e Prokurorisë Publike, se kryetarja e KShPK-së është e përfshirë, ndikon seriozisht në imazhin dhe besimin e publikut, por edhe të institucioneve të tjera ndaj punës së KShPK-së. Sa i përket çështjes nëse është fajtor i gjithë institucioni, mendoj se përgjegjësia është individuale për secilin anëtar, në këtë rast për kryetaren. Megjithatë, kjo ndikon në punën e përgjithshme të KShPK-së dhe në reputacionin e saj në opinionin publik. Është shumë e vështirë të fitohet besimi përmes punës, paanshmërisë dhe përkushtimit, ndërkohë që është shumë e lehtë ta humbasësh atë. KShPK-ja tashmë është në kufijtë e besueshmërisë së saj dhe do të nevojiten përpjekje të mëdha shtesë për ta rikthyer këtë besim.", - theksoi ish-anëtari i KShPK-së, Vladimir Georgiev.

Kryetarja e parë e Antikorrupsionit mbetet e pakapshme për pyetjet e mediave lidhur me dorëheqjen e saj, pas dyshimeve për përfshirje në rastin "Aditiv".

Njohësit e çështjes thonë se derisa të sqarohet nëse ajo është vërtet e përfshirë apo jo, do të ishte e papërshtatshme që ajo të vazhdojë të ushtrojë funksionin e kryetares së KShPK-së.

Nga KShPK-ja njoftuan se institucioni do të vazhdojë të funksionojë në përputhje me ligjin, duke mbetur transparent dhe i gatshëm për të mbështetur hetimet dhe për të ofruar informacionet e nevojshme për zbardhjen e çështjes. (Armend Murseli, TVM2)