Botë
Rikthehet energjia elektrike në Spanjë e Portugali
29.04.2025 10:25
Furnizimi me energji elektrike u rikthye në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë...

Furnizimi me energji elektrike u rikthye në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë, pasi një ndërprerje masive e rrymës goditi gadishullin Iberik, duke lënë pasagjerët të bllokuar në trena dhe qindra ashensorë, ndërsa miliona njerëz mbetën pa sinjal në telefonat e tyre dhe pa qasje në internet.
Kryeministri spanjoll nuk ishte në gjendje të thoshte se kur do të rikthehej plotësisht energjia në Spanjë dhe paralajmëroi se disa punëtorë do të duhej të qëndronin në shtëpi të martën. Kryeministri portugez, Montenegro, tha se energjia në Portugali do të rikthehej “brenda disa orëve”. Rreth 6.2 milionë nga 6.5 milionë familje në Portugali u furnizuan sërish me energji gjatë natës, tha operatori kombëtar i rrjetit elektrik. Ndërprerja e rrymës ndikoi për pak kohë edhe në jugperëndim të Francës, ndërsa në Marok pati ndërprerje të shërbimeve të disa operatorëve të internetit dhe sistemeve të regjistrimit në aeroporte.
Kryeministri spanjoll, Sançez, tha se ndërprerja e energjisë elektrike mesditën e së hënës shkaktoi “ndërprerje serioze” dhe “humbje milionëshe ekonomike në biznese, kompani dhe industri”.
Komisioni Evropian tha se ishte në kontakt me Spanjën dhe Portugalinë lidhur me ndërprerjen e rrymës. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, shkroi se nuk ka tregues për ndonjë sulm kibernetik. Ndërprerjet e rrymës sipas organizatës evropiane të trafikut ajror, Eurokontrol, shkaktuan anulimin e shumë fluturimeve nga Madridi, Barcelona dhe Lisbona.
