Botë
Putini shpall armëpushimin treditor, Ukraina dhe Trampi kërkojnë ndalim të luftimeve
29.04.2025 10:45
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur një armëpushim treditor në Ukrainë...

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur një armëpushim treditor në Ukrainë, që do të hyjë në fuqi më 8 maj dhe do të zgjasë deri më 11 maj, duke përkuar me festimet e fitores së Rusisë në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas Kremlinit, vendimi është marrë “bazuar në konsiderata humanitare”, duke shtuar se “pala ukrainase duhet ta ndjekë këtë shembull”, ndërsa në rast shkeljesh, Forcat e Armatosura të Rusisë do të reagojnë në mënyrë “adekuate dhe efektive”. Në një reagim të menjëhershëm, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andri Sybiha, tha se vendi i tij mbështet një armëpushim më të gjatë dhe më të qëndrueshëm, duke bërë thirrje për ndalimin e luftimeve “që tani dhe për të paktën 30 ditë”.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Donald Tramp dëshiron një armëpushim të përhershëm. Sekretarja e shtypit, Karoline Leavit, tha se Trampi është “gjithnjë e më i frustruar me të dyja palët” dhe po kërkon rezultate të prekshme nga përpjekjet diplomatike.
“Presidenti e ka bërë të qartë se dëshiron ndalimin e vrasjeve, ndalimin e gjakderdhjes. Ai nuk është i kënaqur me gjeste të përkohshme.”, tha Leavit.
Analistët ndërkombëtarë besojnë se shpallja e armëpushimit vjen si përpjekje e Putinit për të fituar kredibilitet diplomatik në një moment kritik për bisedimet e paqes, ku Shtetet e Bashkuara po veprojnë si ndërmjetëse, por kanë paralajmëruar tërheqje, nëse nuk ka përparim real.
