Maqedoni
Seanca e PABSEKU-ut, Gashi: Parlamentet i tejkalojnë kufijtë
29.04.2025 13:47
Në Kuvend u mbajt mbledhja e Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar...

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt mbledhja e Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi. Me këtë rast, kryeparlamentari Afrim Gashi, theksoi se ky Komision është vend ku e drejta dhe politika nuk përplasen, por bashkëveprojnë në sinergji. PABSEK-u ndërton besim midis kombeve, stimulon bashkëpunimin ekonomik dhe nxit demokracinë dhe sot, më shumë se kurrë, na nevojitet një qasje e tillë e bazuar në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, dialogut dhe gjithëpërfshirjes, u tha me këtë rast.
“Ne jemi të bindur se vetëm nëpërmjet dialogut të hapur, prioriteteve të përbashkëta dhe ndërtimit të besimit mund të ndërtojmë një arkitekturë rajonale më të fortë dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu, kjo mbledhje mbahet në një kohë të zhvillimeve të rëndësishme gjeopolitike, që na prekin të gjithëve. Në këtë kontekst, janë pikërisht parlamentet ato që duhet të jenë lidhja midis qytetarëve dhe proceseve të vendimmarrjes. Ne, si përfaqësues të popullit, jemi të thirrur jo vetëm të reagojmë, por edhe të parashikojmë, të ndërtojmë të ardhmen me përgjegjësi dhe vizion.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
“Interesi i RMV-së është i lartë, pasi që 10 nga 12 vendet marrin pjesë në takimin e sotëm. Takimi jonë është vërtetim i interesit të Kuvendit dhe në përgjithësi për PABSEK-un. Ne jemi të lumtur dhe të gatshëm për të vazhduar me bashkëpunimin, i cili është në nivelin më të lartë. Shpresoj se ashtu do të vazhdojë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i PABSEK-ut, Asaf Haxhiev.
Republika e Maqedonisë së Veriut synon që në mënyrë aktive të thellojë pjesëmarrjen e saj në të gjitha trupat e PABSEK-ut.
FLORIJE KAMBERI
