Maqedoni
Debat për mbrojtjen e konsumatorëve, Lonçar: Duhet të mundësohet padia kolektive
29.04.2025 14:04
Konsumatorët e vendit gëzojnë më pak të drejta se sa konsumatorët e vendeve evropiane....

Konsumatorët e vendit gëzojnë më pak të drejta se sa konsumatorët e vendeve evropiane. Për t’i rritur dhe për t’i mbrojtur të drejtat thelbësore të tyre, nevojitet vendosja e padisë kolektive, ndaj të gjithë atyre që do të shkelin apo mashtrojnë të drejtat e blerësve. Kjo u tha nga ekspertët në debatin e organizuar për këtë çështje.
“Te ne aktualisht askush nuk mund të parashtrojë padi kolektive, sepse e dini se propozim-ligji për procedurë kontestimore kishte disa dispozita ku parashihej padi kolektive, mirëpo ai propozim-ligj u tërhoq dhe tani nuk kemi mundësi për padi kolektive, tani duhet të shkojmë me padi individuale për dëmshpërblimin e konsumatorëve edhe kur janë dëmtuar një numër i madh i konsumatorëve. Dhe kjo realisht është një procedurë e shtrenjtë, merr shumë kohë dhe madje i bllokon edhe gjykatat.”, - deklaroi kryetarja e Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Marijana Lonçar.
Të mërkurën skadon marzha kufizuese e çmimeve, Risteski: Marzha e çmimeve mund të vazhdohet
Ministria e Ekonomisë thekson vendimin e fundit për publikimin e çmimeve të produkteve ushqimore onlajn, që kontribuon në përmirësimin e të drejtave të konsumatorëve. Ajo që brengos është fakti se të mërkurën skadon masa për kufizimin e marzhës. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, tha se në rast se vërehet të ketë rritje të çmimeve, nuk përjashtohet mundësia të sillet përsëri vendim për kufizimin e marzhës së produkteve nëpër markete. Njëherit tha ai, po punohet edhe në përpilimin e shportës së re të konsumatorëve.
“Ne fillimisht do të analizojmë se çfarë rezultate dha masa për kufizimin e marzhës. Nga ajo që pamë nga Enti Shtetëror për Statistika, rezultatet ishin të mira. Ju e dini edhe vetë, pasi që i dini informacionet, por rezultatet financiare i presin javën e ardhshme dhe nëse konstatohet se do të ketë nevojë, ne do të vazhdonim me masën e kufizimit të marzhës dhe nëse jo atëherë ekonomia e tregut do të duhet t’i rregullojë çmimet. Të mësuar nga e kaluara të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e tregtisë do të punojnë në mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe të mos krijojmë rritje artificiale të inflacionit dhe çmimeve kur nuk ka kushte për këtë.”, - theksoi zëvendësministri për Ekonomi dhe Punë, Marjan Risteski.
Masa për çmime dhe marzhe të kufizuara, e cila u prezantua në prag të festave të Ramazanit dhe Pashkëve, zyrtarisht skadon më 30 prill. Sipas të dhënave fillestare të Entit Shtetëror të Statistikave, ajo ka kontribuar në stabilizimin e çmimeve dhe uljen e inflacionit në fushën e produkteve ushqimore bazë.
REXHEP QAMILI
