Rajon
Kuvendi i Kosovës, dështoi për herë të tetë seanca konstituive
29.04.2025 14:14
Edhe përpjekja e tetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ishte e pasuksesshme....

Edhe përpjekja e tetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ishte e pasuksesshme, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, sërish nuk mori votat e nevojshme për kryeparlamentare. Për bllokadën e krijuar në konstituimin e Kuvendit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka zgjedhur të heshtë.
Për kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, kjo që po ndodh është tallje me verdiktin e qytetarëve. Ndërsa Hykmete Bajrami nga LDK, thotë se Kuvendi tanimë është shndërruar në një cirk.
“Dëshiroj t’u shpreh keqardhje të gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë tallje që po bëhet me verdiktin e tyre.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Kuvendi me insistimin për kandidaturën e njëanshme është shndërruar në një cirk.”, - u shpreh Hykmete Bajrami nga LDK.
Bekë Berisha nga AAK-ja ishte kritik ndaj liderëve të partive politike, të cilit siç tha ai, nuk janë mësuar të sjellin vendime pa ndikimin e ndërkombëtarëve.
“Si duket i kanë mësuar këta liderët politikë vetëm t’u tregojnë, t’i kapin për krahu.”, - theksoi Bekë Berisha nga AAK.
Ndërsa, ajo e cila për të gjashtën herë nuk i mori votat për t’u ulur në postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, shpreson në reflektimin e opozitës.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe shpresojmë shumë në reflektimin e opozitës.”, - u shpreh Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nëse do të ketë apo jo lëvizje nga ndonjëra prej palëve, në drejtim të zhbllokimit të seancës konstituive mbetet të shihet më 1 maj, për kur kryesuesi, Avni Dehari, e ka caktuar vazhdimin e seancës konstituive.
GYLTENE SINANI
