Maqedoni

Java e imunizimit, Taravari: Vaksinoni fëmijët, vaksinat janë cilësore

29.04.2025 14:31

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSh-në dhe UNICEF-in shënuan javën e imunizimit....

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSh-në dhe UNICEF-in shënuan javën e imunizimit. Me këtë rast, ministri Taravari tha se vaksinimi është shumë i rëndësishëm për shëndetin e popullsisë, pasi mbron nga sëmundje të ndryshme. Njëherit ai apelon tek prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët, ndërsa theksoi se vaksinat që përdoren në vend janë të sigurta dhe cilësore.  
 
“Ministria e Shëndetësisë vite me radhë ka siguruar vaksina me cilësi të lartë, që na bën krenarë, e cila i plotëson të gjitha standardet dhe sigurinë për pacientët nga këto vaksina, prej kompanive më të mira evropiane, të cilat i prodhojnë. Në vitin 2024 kemi rritje të vaksinimit në krahasim me tre vitet e kaluara. Këtë vit kemi siguruar në 18 komuna 35 ekipe mobile, të cilët shkojnë derë  më derë për t’i senzibilizuar njerëzit me fokus të veçantë për MRP-në dhe HPV-në.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Përfaqësues të OBSh-së dhe UNICEF-it: Imunizimi mbron shëndetin e qytetarëve
 
Imunizimin e popullsisë e mbështesin edhe OBSh-ja dhe UNICEF-i. 
 
“OBSh-ja në bashkëpunim me UNICEF-in përkrah çdo të ri në RMV, që të imunizohen me vaksinën HPV, sepse kjo vaksinë parandalon kancerin në qafën e mitrës tek vajzat e reja. Po ashtu nuk duam që të ketë pandemi të lijës së dhenve ose të kollës së keqe në RMV.”, - thonë nga OBSh.
 
“Përfshirja me MRP vaksinën vitin e kaluar ishte 72.3 për qind, po ashtu përfshirja e popullatës me HPV vaksinën ishte 50 për qind nga vajzat dhe kjo nuk është e mjaftueshme. I ftojmë të gjithë prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihet imuniteti kolektiv, që duhet ta kemi.”, - theksoi përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miler. 
 
Ministria e Shëndetësisë për këtë vit ka siguruar 385 milionë denarë për furnizim me vaksina.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI