Tragjedia në diskotekën në Koçan, familjarët organizojnë marsh protestues në Shkup
Familjet e viktimave nga tragjedia në diskotekën në Koçan...

Familjet e viktimave nga tragjedia në diskotekën në Koçan sot organizuan marsh protestues para Prokurorisë në Shkup, për të vazhduar në sheshin e qytetit në Shkup dhe para Kuvendit të Maqedonisë.
Ata mbajnë në duar pankartat me mbishkrimet “Sa jetë duhet të shuhen që ju të ndërgjegjësoheni”, “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, apo “Përgjegjësia selektive është papërgjegjësi”.
“Më përgjegjës janë Prokuroria dhe MPB-ja. Pse? Për arsye të thjeshtë, Prokuroria a ka reaguar ndonjëherë në bazë të informatave të dëgjuara? E ka obligim ligjor dhe kushtetues, asnjëherë nuk ka reaguar. Dhe ja pasojat, mund të xhironi dhe nuk janë vetëm këta 62 fëmijë, edhe 170 deri në 200 fëmijë janë lënduar, përjetësisht do të mbeten invalid, fizikisht dhe psiqikisht. Ky zotëria, i quajtur prokuror publik, punon vetëm sipas nevojave partiake. Po ashtu edhe ai edhe Toshkovski, janë fajtorët kryesorë për këtë çështje.”, - tha një pjesëtarë i familjes së viktimave.
Protestuesit njëherit theksuan se reagimi i institucioneve ishte i vonuar, ndërsa sa u përket të arrestuarve në procesin gjyqësor rreth fatkeqësisë në Koçan një pjesë e tyre, përkatësisht ata që janë më fajtorë po lirohen të mbrohen në liri.
Ata njëherit e quajtën të vonuar thirrjen e një dite më parë të Prokurorisë, që të vijnë të informohen për hetimet lidhur me rastin.
Megjithatë një pjesë e familjarëve, kanë hyrë në Prokurori që të informohen mbi rrjedhën e hetimit.
Në procesin hetimor deri tani janë përfshirë 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë.
Nga tragjedia në Koçan e humbën jetën 62 persona, ndërsa rreth 200 kanë mbetur të lënduar. (Abibe Qaili, TVM2)
