Kuvend, interpelanca ndaj ministrit, Toshkovski
Ministri i brendshëm, Pançe Toshkovski...

Ministri i brendshëm, Pançe Toshkovski, pas janarit, për të dytën herë para interpelancës së parashtruar nga grupi parlamentar i “Së Majtës”. Deputeti, Sashko Jançev, tha se interpelanca bazohet në dhjetë pika, pesë prej të cilave lidhen me tragjedinë e Koçanit dhe pesë të tjera për dështimet dhe veprimet joprofesionale të Toshkovskit.
Akuzon të parin e dikasterit të brendshëm se ka lejuar punën e diskotekës “Puls”, që sipas tij s’ka përmbushur as kushtet minimale për punë.
“Në kohën e tij prej ministri, që zgjat më shumë se një vjet, ai anashkaloi dhe në mënyrë joadekuate ushtroi funksionin e tij, duke vepruar në mënyrë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme që mundësuan hapjen e skandaleve dhe dështimeve në MPB. Për paaftësinë e tij flet mjaftueshëm fakti se as që ka menduar të ofrojë dorëheqje për shkaqe morale, diçka që e kanë bërë ministrat e mëparshëm në Maqedoni në situata të përafërta.”, - deklaroi deputeti i “Së Majtës, Sashko Jançev.
Toshkovki mohon se tragjedia e Koçanit nuk është përcjellë profesionalisht. Thotë se MPB-ja ka vepruar në koordinim me Prokurorinë dhe se vendimet kanë qenë urdhra të organit faktmbledhës.
“Po, licenca është ripërtërirë në vitin 2024 kur unë kryeja funksionin e ministrit në qeverinë teknike i obliguar për zgjedhje, por pikërisht ajo licencë sot është lëndë e hetimit penal si e falsifikuar, e marrë në bazë të indicieve për malverzim. Fakti që është falsifikuar e shkel tërë konstruksionin. Fakti që nga MPB-ja nuk është kërkuar mendim për rendin publik edhe pse ky është parakusht kur procedura është legjitime, vërteton se procedura e ripërtërirjes ka qenë në tërësi ilegale.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, tha se tragjedia e Koçanit pasqyron një dështim të rëndë institucional, ndërsa e kualifikoi si kulturë të jollogaridhënies dhe krizës së zbardhjes së tragjedisë sipas ligjeve dhe drejtësisë.
“Zoti ministër, ky rast nuk ka ngritur alarmin vetëm për sigurinë e vendit. Nuk është vetëm krizë e sigurisë, fatkeqësisht për të mbuluar përgjegjësinë tuaj, ju dhe me veprimet tuaja kontribuuat edhe në krizën e drejtësisë dhe këtë e ilustron më së miri mbajtja në paraburgim e ish-ministrit të Ekonomisë, z.Kreshnik Bekteshi.”, - u shpreh deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
Përgjigjet e ministrit Toshkovski dhe deputetes Stojanovska nga VMRO-DPMNE, për ministren Pasholli janë se fajtorët për sistem aktual të shtetit lidhen me qeveritë paraprake.
“Nëse më pyesni mua se kush është më përgjegjës për atë se sistemi është i kalbur, shihni ata rreth jush që janë më fajtorë për sistemin e kalbur. Ku ishit të parashtroni pyetje kur u dogjën në spitalin modular në Tetovë?”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Panço Toshkovski.
“Pikërisht pushteti juaj e arriti majën e korrupsionit dhe kriminalitetit në këtë shtet. Mos u bëni kontradiktore. Tani në interpelancën e dytë, pikërisht ju kaloni në anën e atyre që kanë parashtruar interpelancën. “E Majta”, e cila nëse ju kujtohet, për ju shqiptarët ka thënë se jeni një fis.”, - theksoi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Për deputetin, Mile Talevski, nga radhët e LSDM-së, në vendin tonë nuk ka preventivë, sistem sigurie dhe as hetime efektive kundër krimit dhe korrupsionit.
“Shteti është shndërruar në një vend të egër. Rrugët e Maqedonisë janë vende të pasigurta, ku në dritën e ditës na ndodhin përllogaritje kriminale, vrasje, djegie të veturave, madje edhe para stacionit policor, siç ndodhi në Bit Pazar, para disa ditëve.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Mile Talevski.
Interpelanca ndaj ministrit Toshkovski, e parashtruar në janar nga BDI, nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
