Maqedoni
Taravari: Qeveria është stabile, së shpejti do të takohem me kryeministrin
29.04.2025 15:21
Kryetari i njërës prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari...

Kryetari i njërës prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thotë se koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm dhe se ka komunikim të rregullt me kryeministrin, Mickoski. Taravari thotë se do të takohet me kryeministrin sapo ai të kthehet nga një udhëtim zyrtar.
“Pasi të kthehet kryeministri nga udhëtimi, do të takohemi dhe do të bisedojmë. Përndryshe, kemi komunikim të rregullt. Ato që ka thënë zoti Nikolloski, i dëgjoj të gjithë, megjithatë ne jemi parti autonome, vendosim vetë.”, - deklaroi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.
Me gjithë reagimet e koalicionit VLEN, Taravari, njëherit nuk tërhiqet nga vendimi që në zgjedhjet lokale partia e tij të garojë me lista të veçanta për këshilltarë. Tha se është vendim i prerë i partisë dhe se duhet respektohet.
“Për momentin kemi një vendim të sigurt që do të dalim me lista të veçanta këshilltarësh dhe kjo është një vendim i partisë dhe nga kjo nuk ka kthim pas. Për çdo gjë tjetër jemi të gatshëm dhe të hapur të bisedojmë me të gjithë në lidhje me zgjedhjet lokale.”, - theksoi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.
Partnerët e deritanishëm të Taravarit të koalicionit VLEN, kanë thënë se Taravari vetë është përjashtuar nga koalicioni dhe duhet të largohet edhe nga Qeveria, sepse, sipas tyre, nuk mund të jetë njëkohësisht pjesë e Qeverisë, e nga ana tjetër të negociojë me BDI-në. Ngjashëm është shprehur edhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, i cili deklaroi se nëse dikush mendon se duhet të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë sigurisht që do të përfundojë në opozitë.
ARMEND MURSELI
